Opozita e opozitës – projekti i dështuar i Edi Ramës për të mbijetuar politikisht …

Nga Petrit Vasili:

Në përballje me një krizë të thellë politike dhe korruptive, Edi Rama zgjodhi një strategji të rrezikshme dhe cinike: sponsorizimin me çdo mjet të asaj që sot njihet si “opozita e opozitës” mediatiko-politike. Ky projekt u konsiderua prej tij prioritet absolut dhe tezë themelore për t’i shpëtuar rënies së pashmangshme.

I paaftë të kundërshtonte mijëra fakte, dokumente dhe prova që rëndojnë mbi qeverisjen e tij në çdo nivel, Rama ngriti dy narrativa të rreme, por të shërbyera me intensitet propagandistik ekstrem:

Së pari, teza se “të gjithë janë njësoj të korruptuar”, duke synuar të relativizojë krimin dhe vjedhjen shtetërore.
Së dyti, ideja se “edhe nëse ne jemi të korruptuar, opozita është edhe më keq”, e përçarë dhe e paaftë për të qeverisur.

Në funksion të këtyre tezave, e gjithë armata mediatike e ushqyer nga korrupsioni qeveritar u vu në shërbim të këtij projekti, duke u shitur qytetarëve si një zgjidhje “realiste” dhe gjoja shpëtimtare. Iluzioni ishte i qartë: populli do ta pranonte korrupsionin dhe plaçkitjen, sepse “nuk paska alternativë”.

Por kjo skemë u përdor aq masivisht, aq trashë dhe aq hapur, sa përfundoi në inflacion total. Propaganda u kthye në karikaturë. Personazhet mediatike dhe politike të përdorura u stërpërdorën pa mëshirë, deri sa humbën çdo besueshmëri dhe u shndërruan në figura qesharake, papagallë të konsumuar të pushtetit.

Realiteti e rrëzoi këtë projekt. Opozita e opozitës nuk e ndali dot thellimin e krizës së Ramës. Përkundrazi, faktet dhe provat po trokasin tashmë fort edhe brenda rrethit të tij familjar dhe politik. Një nga një, figurat kryesore të “Rilindjes” po përfundojnë nën hetim, duke e zbuluar propagandën si një mburojë të dështuar.

Sot, ajo që mbetet nga ky projekt është një inflacion i dëshpëruar dhe shpesh komik. Zërat e opozitës së opozitës tingëllojnë të mekur përballë skandaleve madhore korruptive, njëri më i rëndë dhe më turpërues se tjetri. Besueshmëria e tyre është afër zeros, sepse lidhjet direkte ose indirekte me përfitimet nga pushteti janë bërë të dukshme për këdo.

Rezultatet e këtij projekti të dështuar janë të qarta:

– Një grup personazhesh u përdorën dhe u shpërblyen nga Rama në forma të ndryshme.
– Projekti u shkatërrua nga super-inflacioni i shkaktuar prej super-përdorimit.
– Rama nuk zgjidhi asnjë problem, përkundrazi e rëndoi më tej situatën e tij politike.
– Nga paniku, ai doli hapur kundër drejtësisë që vetë e kishte shpallur si “krijesë” të tij, duke shembur malin e propagandës së ndërtuar prej vitesh.
– U ekspozuan si vegla të pushtetit edhe figura që shiteshin si “të pavarura” dhe me një integritet fals.

Populli e ka një fjalë të vjetër: “Hajdeni o të zgjuar, hani gjënë e budallait.”

Në këtë histori, të fituar dolën vetëm personazhet e përdorur që morën shpërblimet. Humbësi i madh mbetet Edi Rama, i cili shpenzoi, bleu dhe përdori, por jo vetëm që nuk e zgjidhi hallin e tij, por e bëri atë edhe më të madh se më parë.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *