Nga Redi Minga:
Pas më shumë se një dekade pushtet absolut, arrogancë politike dhe sundim personal, Rama nuk është më i qetë asnjë çast. Frika e ka pushtuar, sepse e di mirë se gjatë rrugës së tij ka prerë çdo lidhje besnikërie, ka tradhtuar çdo mik, ka përdorur çdo bashkëpunëtor dhe më pas e ka hedhur si leckë të konsumuar.
Një pushtet i ndërtuar mbi tradhtinë
Edi Rama nuk ndërtoi një parti, por një mekanizëm frike.
Nuk krijoi aleatë, por vartës të përkohshëm.
Nuk mbajti miq, por shërbëtorë që i përdori dhe i flaku.
Ministra të djegur, deputetë të poshtëruar, socialistë historikë të përjashtuar, figura të Rilindjes të sakrifikuara një nga një për të shpëtuar kryetarin – kjo është kronika e pushtetit të Ramës.
Dhe tani, ai e di: askush nuk i qëndron më besnik, sepse askujt nuk i ka qëndruar vetë.
Frika nga vetmia politike
Rama sot është një njeri i vetëm në majë të pushtetit.
Rrethuar nga njerëz që buzëqeshin, por nuk besojnë.
Që zbatojnë urdhra, por presin momentin.
Që heshtin, por janë të lodhur.
Ai i trembet vetmisë më shumë se opozitës, sepse e di që goditja nuk do t’i vijë nga jashtë, por nga brenda.
Rilindasit janë lodhur
Socialistët e Rilindjes janë lodhur duke mbajtur mbi supe mëkatet e një njeriu të vetëm.
Janë lodhur duke firmosur urdhra që nuk i besojnë.
Janë lodhur duke mbrojtur skandale që nuk i krijuan.
Janë lodhur duke u përdorur si mburojë për një pushtet që po kalbet.
Ata e dinë se kur anija mbytet, kapiteni shpëton veten, ndërsa ekuipazhi fundoset.
Fundi vjen gjithmonë nga tradhtia që ke mbjellë
Historia politike nuk fal.
Asnjë sundimtar nuk është rrëzuar vetëm nga kundërshtarët.
Të gjithë bien nga tradhtitë që kanë mbjellë vetë.
Edi Rama po korr atë që ka mbjellë: mosbesim, frikë, urrejtje të heshtur dhe lodhje morale.
Dhe siç thotë fjala e vjetër popullore, kur qenit i vjen fundi, endet i humbur para dyerve të shenjta – jo për pendesë, por sepse nuk ka më askënd.
Fundi i Ramës nuk do të vijë me thirrje proteste, por me braktisje të heshtur.
Jo me përballje ballore, por me shkëputje nga ata që dikur i quante të vetët.
Sepse pushteti i ndërtuar mbi tradhtinë, gjithmonë shembet nga brenda.
