Avokati Goxhaj: Nesër, Kosova rihap gropën e krizës – pavarësisht garancisë së SHBA për të ardhmen e saj, por jo me Albin Kurtin …

Nga Avokati Altin Goxhaj:

Nesër, Kosova rrezikon të rihapë vetë gropën e krizës politike, duke i dhënë sërish Albin Kurtit “shkopin magjik” të krizës permanente, pikërisht në momentin më kyç dhe më fatlum të saj në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vetëm pak ditë më parë, Kongresi Amerikan miratoi Dokumentin e Strategjisë së Sigurisë së SHBA, i cili garanton qartë dhe pa ekuivok sigurinë e Kosovës. Por në të njëjtën kohë, në mënyrë të drejtpërdrejtë u konfirmua se pengesë për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës është Albin Kurti.

Megjithatë, nesër pritet që Sorosi, me ndihmën vendimtare të politikanëve të kapur dhe votuesve të manipuluar, ta risabotojë Kosovën, duke e mbajtur peng të krizës së përhershme politike përmes Albin Kurtit.

Mandati i krizës së përhershme

Nesër finalizohet edhe një herë mandati i Albinit për ta mbajtur Kosovën zvarrë, përmes një klase politike të kapur nga interesat sorosiane. Kjo nuk është as e re dhe as e papritur.

Që në vitin 2021 kam denoncuar publikisht zgjedhjen e Lumir Abdixhikut në krye të LDK-së, si një projekt sorosian për ta kthyer partinë e Rugovës në patericë të pushtetit të Albinit. Nesër pritet të rikonfirmohet plotësisht teza ime për kapjen totale të politikës kosovare nga Soros, me synim sabotimin e të tashmes dhe të ardhmes së Kosovës.

Koalicioni që u sabotua me qëllim

LDK duhej të kishte bërë me çdo kusht koalicion me PDK-në. Zgjidhja ishte e thjeshtë dhe demokratike: kryeministri të përcaktohej pas zgjedhjeve, në bazë të peshës elektorale të secilës parti.

Por kjo u sabotua me vetëdije. Lumir Abdixhiku vendosi veto, duke imponuar si kusht që ai vetë të ishte kryeministër, pavarësisht votave. Kjo ishte mënyra më e sigurt për t’ia lënë Albinit në dorë të drejtën për të përsëritur krizën ose për të marrë sërish mandatin e kryeministrit.

Albin Kurti – pengesë për interesin kombëtar

Nëse LDK nuk del forcë e parë dhe Vetëvendosje po, atëherë Albin Kurti do të ketë sërish të drejtën të formojë qeverinë ose të mbajë vendin në krizë. Kjo do të ishte:

  • Pengesë e drejtpërdrejtë për interesin e Kosovës
  • Në kundërshtim të hapur me Strategjinë e Sigurisë së SHBA
  • Avantazh i pastër për Vuçiçin dhe Serbinë
  • Garanci për përkeqësimin e marrëdhënieve me administratën amerikane

Arma sekrete e Serbisë kundër Kosovës ka qenë, është dhe mbetet Albin Kurti.

Një gabim historik që po përsëritet

Nesër shqiptarët e Kosovës rrezikojnë të përsërisin gabimin historik të vitit 1911, kur në Prizren u përulën para Padishahut, nën sytë e diplomatëve europianë, duke vulosur fatin e kufijve shqiptarë.

Edhe nesër, përmes votës së gabuar, shqiptarët e Kosovës do të votojnë kundër interesit të tyre kombëtar, duke i dhënë Albinit më shumë vota se çdo formacion tjetër dhe duke ia dorëzuar atij krizën e re dhe mandatin e kryeministrit.

Alternativa që u shpërfill

Zgjidhja më e mirë për Kosovën në kushtet aktuale do të ishte mandatimi i Bedri Hamzës – një politikan me peshë reale elektorale, pa akuza korrupsioni, profesionist, i pranueshëm për administratën amerikane dhe i papërlyer me antitrumpizëm apo pazare sorosiane.

Ai është i vetmi lider me potencial real kryeministror që nuk është produkt i Sorosit dhe nuk ka qenë kurrë në shërbim të tij.

Paralajmërimi i vitit 2021

Këtu është denoncimi dhe parashikimi im i 15 marsit 2021, kur paralajmërova se zgjedhja e Lumir Abdixhikut do ta kthente LDK-në në një “Lulzim Basha të Kosovës”, duke shkatërruar trashëgiminë e Rugovës:

🔗 https://www.facebook.com/share/p/17qAZjgijN/

P.S.
Le të fillojë vërshimi i sharjeve nga militantët e Albinit. Kam vite që kam pasur të drejtë për Trumpin, për Sorosin dhe për Albinin, ndërkohë që albinistët e sotëm lehën dje kundër Trumpit duke e quajtur “proserb”. Koha i ka nxjerrë të gjithë zbuluar.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *