Nga Redaksia:
Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se raundi i fundit i bisedimeve me negociatorët amerikanë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë ka qenë “shumë i dobishëm”, por njëkohësisht theksoi se Rusia nuk ka ndërmend të tërhiqet nga kërkesat e saj maksimale territoriale.
Para vizitës së tij në Nju Delhi, Putin i tha India Today TV se synon të marrë nën kontroll të gjithë rajonin e Donbasit me forcë, duke konfirmuar raportimet e Kremlinit se negociatat e një dite më parë me të dërguarit amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, nuk prodhuan asnjë konsensus.
“Gjithçka shkon te kjo: ose do t’i çlirojmë këto territore me forcë, ose forcat ukrainase do të tërhiqen dhe do të ndalojnë luftimet”, tha Putin, sipas agjencisë shtetërore ruse TASS.
Rusia nuk lëviz nga “vijat e kuqe”
Putin rikujtoi se që prej vitit 2022, Rusia ka dërguar dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë, pas tetë viteve luftimesh midis separatistëve të mbështetur nga Moska dhe ushtrisë ukrainase në Donbas.
Qëndrimi i tij i pandryshuar hodhi poshtë deklaratat e Presidentit Donald Trump, i cili më herët kishte sugjeruar se delegacioni amerikan kishte krijuar përshtypjen se Putin “donte ta mbyllte luftën”.
Megjithatë, sikurse raportuan mediat amerikane, Witkoff dhe Kushner pritet të takohen sot në Florida me kryenegociatorin ukrainas Rustem Umerov, pas pesë orë bisedimesh në Moskë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i dobësuar nga avancimi rus dhe skandalet e brendshme të korrupsionit, ka deklaruar se nuk ka mandat kushtetues për të hequr dorë nga territoret ukrainase, dhe se agresioni rus nuk mund të shpërblehet me lëshime.
Plani 28-pikësh i Trump shkakton debate
Rusia ka ripërsëritur vazhdimisht kërkesën për të marrë nën kontroll të gjithë Donbasin dhe kërkon që SHBA të njohë de facto këtë realitet. Tensionet u shtuan kur Trump publikoi një plan 28-pikësh për paqen, që në draftin e parë parashikonte:
- dorëzimin e plotë të Donbasit,
- kufizimin e ushtrisë ukrainase,
- heqjen dorë nga anëtarësimi në NATO.
Pas kritikave të forta ndërkombëtare, pala ukrainase arriti ta reduktojë draftin në 19 pika gjatë bisedimeve në Gjenevë.
Ende nuk dihet cili version u diskutua në Moskë. Sipas TASS, Putin i konsideron ende të vlefshme të 28 pikat, të ndara tashmë në katër “paketa” të negociueshme.
Moska: Marrëveshje nuk ka pa respektimin e interesave ruse
Sipas Al Jazeera, Kremlini nuk pritet të lëvizë nga vijat e tij të kuqe. “Derisa të respektohen interesat e Rusisë, nuk do të ketë asnjë marrëveshje. Qëllimet do t’i arrijmë në fushëbetejë”, raportoi mediet ruse, duke cituar Putinin.
Nga ana tjetër, Kievi pretendon se procesi i ndërmjetësuar nga SHBA është i dobishëm, me kusht që interesat e Ukrainës të mos anashkalohen dhe presioni ndërkombëtar të vazhdojë mbi Moskën.
Sulme të reja ruse në qytetet ukrainase
Ndërkohë, agresioni rus në terren nuk ka ndalur:
Kryvyi Rih: një raketë balistike plagosi 6 persona, mes tyre një vajzë 3-vjeçare, duke dëmtuar mbi 40 ndërtesa, një shkollë dhe rrjetin e gazit.
Kherson: një vajzë 6-vjeçare ndërroi jetë pas plagëve të marra nga artileria ruse.
Odesa: sulme me dronë plagosën 8 persona dhe goditën infrastrukturën energjetike.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, akuzoi Ukrainën se po minon procesin e paqes me sulme ndaj cisternave të naftës dhe objekteve energjetike në Detin e Zi.
Situata në terren
Sipas Reuters, Rusia kontrollon aktualisht 19.2% të territorit ukrainas, përfshirë:
- gjithë Luhanskun,
- mbi 80% të Donetskut,
- rreth 75% të Khersonit dhe Zaporizhias,
- zona të vogla në Kharkiv, Sumy, Mykolaiv dhe Dnipropetrovsk,
- si dhe Krimenë e aneksuar në 2014.
Ukraina konfirmoi se forcat e saj vazhdojnë të mbajnë pjesën veriore të qytetit strategjik Pokrovsk, ndërsa rreth 5,000 km² të Donetskut mbeten ende nën kontrollin e Kievit. /Aljazeera
