15 Shtete bashkohen kundër shkeljeve të Kinës – Shqipëria hesht sërish …

Nga Redaksia:

Në nëntor 2025, në mbledhjen e Komitetit të Tretë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, 15 shtete nga Europa, Azi-Paqësori, Amerika dhe Oqeania u bashkuan në një deklaratë të fuqishme kundër shkeljeve sistematike të të drejtave të njeriut nga Partia Komuniste e Kinës (PKK).
Deklarata shprehu “shqetësim të thellë” për represionin e vazhdueshëm që regjimi komunist ushtron brenda dhe jashtë territorit të tij.

Deklarata u firmos nga: Shqipëria, Australia, Çekia, Estonia, Izraeli, Japonia, Letonia, Lituania, Maqedonia e Veriut, Palaos, Paraguai, San Marino, Ukraina, SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar.

  • Shtetet akuzuan drejtpërdrejt regjimin komunist të Kinës për:
  • Arrestime arbitrare dhe punë të detyruar;
  • Mbikëqyrje masive dhe të paligjshme;
  • Shtypje të lirisë fetare dhe kulturore;
  • Persekutim ndaj pakicave etnike dhe fetare: ujgurëve, tibetasve, të krishterëve dhe praktikuesve të Falun Gong;

Shqetësuese, dërgimin e fëmijëve me forcë në internate, tortura dhe shkatërrim të trashëgimisë kulturore e fetare.

Hong Kongu – Liritë e rrafshuara

Deklarata theksoi se liritë civile dhe shteti ligjor në Hong Kong janë shkatërruar në themel, ndërsa regjimi i Pekinit tashmë kryen edhe ndjekje jashtë kufijve, përfshirë vendosjen e shpërblimeve për kritikët që jetojnë jashtë Hong Kongut.
Këto veprime përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj fjalës së lirë.

Makineria e censurës dhe frika globale

Sipas 15 shteteve, PKK përdor censurën shtetërore dhe sistemet e avancuara të mbikëqyrjes për të kontrolluar informacionin dhe për të heshtur çdo zë kritik. Gazetarët, aktivistët e të drejtave të njeriut, avokatët dhe kundërshtarët politikë përballen çdo ditë me represion, duke krijuar një “klimë frike globale”.

Dy kërkesa të qarta për regjimin komunist të Kinës

  1. Të lirojë menjëherë dhe pa kushte të gjithë personat e burgosur padrejtësisht;
  2. Të përmbushë detyrimet e saj sipas Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut dhe traktateve ndërkombëtare që ka nënshkruar.

Kina nën akuzë – provat janë të shumta

Raporti i OKB-së për Xinjiang (2022), dëshmitë e qindra OJQ-ve dhe dokumentet e ekspertëve të pavarur tregojnë se politikat e Kinës në Xinjiang mund të përbëjnë “krime kundër njerëzimit”.
Ndërkohë, në Hong Kong, arrestimet masive, mbyllja e mediave dhe reduktimi i hapësirës civile tregojnë qartë se modeli “një vend, dy sisteme” ka rënë përfundimisht.

Deklarata e 15 shteteve vjen pas një deklarate të mëparshme të udhëhequr nga Kanadaja, të nënshkruar nga 50 shtete. Sipas diplomatëve, një numër gjithnjë e më i madh shtetesh nuk pranojnë më të heshtin përballë shkeljeve të Kinës dhe të ardhmen e shohin me veprime edhe më të forta në OKB.

Kina: “Jeni duke u ndërhyrë në punët tona të brendshme”

Si çdo herë, delegacioni kinez akuzoi vendet firmëtare për “ndërhyrje”, duke pretenduar se gjendja e të drejtave të njeriut në Kinë është “në nivelin më të mirë historik”.
Por deklarata i ktheu përgjigje prerë: vendet që shkelin sistematikisht të drejtat e njeriut minojnë jo vetëm shoqërinë e tyre, por edhe besimin ndërkombëtar.

Ku është Shqipëria në gjithë këtë?

Edhe pse Shqipëria ishte ndër firmëtaret e deklaratës, realiteti i politikës sonë të jashtme tregon diçka tjetër:

  • Tirana zyrtare mbetet e varur politikisht dhe ekonomikisht nga Pekini.
  • Qeveritë shqiptare kanë heshtur shpesh për abuzimet e Kinës, duke mos guxuar të mbajnë një qëndrim real kritik.
  • Në kontrast me deklaratat në OKB, Shqipëria në praktikë vijon të mbajë marrëdhënie të buta e të nënshtruara ndaj interesave të Kinës.

Për një vend që vetë ka vuajtur nën diktaturë komuniste, heshtja ndaj një regjimi që shtyp miliona njerëz është turp historik.
Nëse Shqipëria dëshiron të quhet demokraci funksionale, atëherë duhet të ketë kurajon të flasë hapur – jo thjesht të firmosë deklarata të cilat nuk i mbështet me qëndrime konkrete.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *