Nga Redaksia:
Në shoqëritë perëndimore po ndodh një transformim i heshtur, por i thellë. Ajo që dikur ishte zemra e jetës shoqërore – takimet në shtëpi, darkat me miq, gotat e verës në kuzhinën e ngrohtë – po venitet nën peshën e ritmit të çmendur modern dhe obsesionit për “perfeksion”.
Aty ku dikur dera hapej për miq, sot hapet Google Maps për të gjetur lokalin më të afërt.
Edhe revista prestigjioze gjermane Der Spiegel e trajton këtë fenomen. Autorja Katja Lewina shkruan me nostalgji për darkat e dikurshme mes miqve, një zakon që po shuhet çdo vit e më shumë. Ajo përshkruan se sa e natyrshme ishte dikur të mblidheshin njerëzit në shtëpi – thjesht, pa dekor perfekt, pa presion, pa stres.
Nga ç’buron ky ndryshim?
Arsyet janë të shumta dhe pasqyrojnë një krizë më të thellë të shoqërive perëndimore:
Ritmi i shpejtë i jetës urbane, që i lodh njerëzit deri në pikën ku s’kanë më energji për t’i hapur derën askujt.
Presioni për një shtëpi perfekte, i ushqyer nga Instagram-i dhe kultura e imazhit.
Frika e gjykimit, që i shtyn të rinjtë drejt ambienteve neutrale, ku askush nuk sheh ç’gatim ke bërë apo çfarë tavoline ke.
Kostot e larta të jetesës, që i kthejnë pritjet në shtëpi në luks.
Apartamentet gjithnjë e më të vogla, produkt i urbanizimit dhe politikave të tregut.
Në fakt, ky fenomen tregon një prishje të lidhjes mes njerëzve – një ç’ngrohje të marrëdhënieve shoqërore që Perëndimi prej kohësh e përjeton.
Ajo që humbet – dhe nuk rikthehet dot me lokale
Lewina thekson se asnjë kafene apo restorant nuk e zëvendëson dot atë që ndodh brenda një shtëpie. Në shtëpi krijohet ajo afërsia e vërtetë, çiltërsia, biseda që zgjat deri natën vonë. Edhe rrëmuja pas një feste të vogël – thotë ajo – është e bukur, sepse është dëshmi e afërsisë njerëzore.
Kjo është edhe arsyeja pse vendet me traditë mikpritjeje, si Shqipëria dhe trojet shqiptare, e kanë ruajtur një pasuri që Perëndimi po e humbet: shpirtin e shtëpisë.
Në kulturën shqiptare, dera e hapur ka qenë gjithmonë shenjë nderi, besimi dhe njerzillëku – një vlerë që shoqëritë moderne po e varrosin nën heshtje.
Një thirrje për t’u kthyer te thjeshtësia
Lewina i bën thirrje qytetarëve të rikthehen te tradita e mikpritjes:
mos kërkoni shtëpi perfekte, kërkoni lidhje të vërteta.
Mos kërkoni dekor, por ngrohtësi.
Mos kërkoni përsosmëri, por sinqeritet.
Sepse shtëpia është vendi ku njeriu bëhet njeri – jo lokalet e ftohta që të largojnë më shumë sesa të afrojmë.
Një mesazh që Perëndimi po e kupton shumë vonë, ndërsa shoqëritë tona e kanë pasur gjithmonë në zemër.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
