Nga Redaksia:
Gjatë një interviste të gjatë me podkastuesin e njohur Joe Rogan, miliarderi dhe sipërmarrësi teknologjik Elon Musk lëshoi akuza të rënda kundër Partisë Demokratike të SHBA-së, duke deklaruar se bllokimi aktual i buxhetit amerikan është pasojë e refuzimit të demokratëve për ta miratuar atë, nëse nuk përfshihen përfitime shëndetësore për emigrantët ilegalë.
Sipas Musk, disa shtete të drejtuara nga demokratët — si Kalifornia dhe Nju Jorku — kanë ngritur një “rrjet subvencionesh mashtruese” përmes fondeve federale të programit Medicaid, të cilat zyrtarisht janë të destinuara për emergjenca mjekësore, por në praktikë përdoren për të mbuluar kujdesin shëndetësor të përditshëm të emigrantëve pa dokumente.
“Këto shtete janë të varura nga ky fluks parash. Nëse ndalet, sistemi i tyre shembet,” – tha Musk.
Ai shtoi se kjo është një “mekanizëm i fshehtë për të tërhequr votues”, pasi emigrantët që përfitojnë nga këto programe priren të vendosen në këto shtete, duke forcuar pushtetin politik lokal.
“Kalifornia dhe Nju Jorku do të ishin të falimentuara pa ato pagesa masive federale,” – deklaroi Musk, duke akuzuar autoritetet shtetërore se “gënjejnë sistematikisht” ndaj qeverisë federale për mënyrën se si përdoren fondet.
Sipas shifrave të përmendura gjatë intervistës, programi Medi-Cal në Kaliforni, që ofron mbulim të plotë shëndetësor për emigrantët pa status ligjor, kushton rreth 2.6 miliardë dollarë në vit. Në Nju Jork, shpenzimet arrijnë 500 milionë dollarë në vit, ndërsa numri i emigrantëve të regjistruar në Medicaid-in e emergjencës është rritur me 1,200% që prej vitit 2014, duke arritur në afro gjysmë milioni përfitues.
Musk theksoi se mungesa e kontrollit federal ka lejuar që të devijohen “qindra miliarda dollarë” drejt programeve lokale pa asnjë auditim real.
“Shtetet vetë-raportojnë sa fonde u duhen, dhe askush nuk i kontrollon. Ata fryjnë shifrat dhe marrin para që nuk u takojnë,” – sqaroi ai.
Në pyetjen e Rogan se çfarë do të ndodhte nëse këto pagesa ndërpriteshin, Musk u përgjigj:
“Shumë emigrantë do të largoheshin dhe demokratët do të humbnin një bazë të rëndësishme votuesish. Ky është motivi i vërtetë pas përplasjes aktuale për buxhetin në Uashington.”
Në përfundim, Musk u shpreh prerë:
“Ata duan ta mbajnë të hapur rubinetin e parave federale — jo nga mëshira, por sepse është bërë një instrument i pushtetit politik.”
Intervista, që zgjati mbi tre orë dhe është pjesë e programit The Joe Rogan Experience, ka ndezur një debat të ashpër në opinionin publik amerikan.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
