Bill Gates ndryshon kurs: “Ndryshimi i klimës nuk do ta zhdukë njerëzimin” – ndërkohë që bota ndahet mes arsyes dhe interesave të mëdha …

Nga Redaksia:

Filantropi amerikan Bill Gates ka tronditur botën e politikës dhe shkencës me një deklaratë të rrallë realizmi:

“Ndryshimi klimatik nuk do ta zhdukë njerëzimin. Duhet të ridrejtojmë një pjesë të fondeve drejt luftës kundër urisë, sëmundjeve të parandalueshme dhe varfërisë ekstreme.”

Në një artikull të botuar pak javë para samitit klimatik COP30, Gates thekson se jo të gjitha problemet kanë të njëjtën peshë, dhe se “duhet të përcaktojmë përparësitë sipas vuajtjeve që shkaktojnë”.
Sipas tij, sot më shumë njerëz vdesin nga mungesa e ushqimit, vaksinave dhe higjienës, sesa nga ndryshimet klimatike.

Një kthesë që sfidon axhendën globale

Kjo deklaratë shënon një ndryshim të madh në retorikën ndërkombëtare, veçanërisht nga një figurë që prej dekadash ka mbështetur nisma mjedisore dhe programe të financuara nga fondacione globale.
Gates thekson se veprimi klimatik nuk duhet të bëhet në kurriz të jetëve njerëzore të tanishme, duke kërkuar një balancë midis shkencës, zhvillimit dhe realitetit social.

“Ne mund t’i ulim emetimet pa injoruar problemet që vrasin miliona çdo vit,” – shkroi ai.

Kjo thirrje ka ndarë botën në dy kampe: ata që e quajnë një zë të arsyes kundër alarmizmit klimatik, dhe ata që e shohin si një rrezik për planetin.

Trump: “Agjenda e gjelbër është mashtrimi më i madh kundër njerëzimit”

Deklaratat e Gates vijnë pas një tjetër tronditjeje politike: në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, presidenti Donald Trump e cilësoi agjendën klimatike si

“Mashtrimin më të madh të bërë ndonjëherë kundër botës.”

Trump paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen sërish nga Marrëveshja e Parisit, duke mbrojtur një politikë të “dominimit energjetik” të bazuar në burime natyrore si nafta, gazi, qymyri dhe energjia bërthamore.
Sipas tij, alarmizmi klimatik është përdorur si “mjet për të dobësuar ekonomitë sovrane dhe për të transferuar pasuritë tek organizatat ndërkombëtare”.

Raporti që tronditi shkencën amerikane

Në të njëjtën linjë, Departamenti Amerikan i Energjisë publikoi një raport të gjerë ku pranon rolin e CO₂ si gaz serrë, por argumenton se ndikimi i tij është tepruar, ndërsa përfitimet e tij natyrore janë minimizuar.
Raporti thekson se në katër dekadat e fundit planeti ka përjetuar një “gjelbërim global” për shkak të rritjes së fotosintezës dhe shtimit të prodhimit bujqësor.
Për më tepër, ai vë në dyshim modelet klimatike të OKB-së, duke i quajtur “të ekzagjeruara dhe të bazuara në skenarë jorealistë”.

Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë dhe Ballkanin?

Këto zhvillime ndërkombëtare tregojnë se epoka e propagandës së frikës po thyhet nga zëri i arsyes.
Për vende si Shqipëria, të varura nga donatorë ndërkombëtarë që shpesh kushtëzojnë fondet me politika “të gjelbra” apo sociale të dyshimta, ky debat është një mundësi për të rishikuar prioritetet kombëtare.

Në vend që miliarda euro të shpërdorohen në projekte që s’ndryshojnë asgjë, vendet e vogla si e jona duhet të fokusohen te zhvillimi bujqësor, energjia kombëtare, furnizimi me ujë dhe ndihma për shtresat e varfra — problemet e vërteta që prekin njerëzit çdo ditë.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *