ANALIZA: Gjermania drejt heqjes së dyshtetësisë: fillon debati për besnikërinë ndaj vendit …

Analizë e politikës gjermane dhe pasojat për emigrantët.

Nga Redi Minga:

Në Gjermani po ndizet një debat i ri politik që mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për qindra mijëra emigrantë. Pas ndryshimeve të fundit në ligjin për shtetësinë, politikanë të partive të Unionit konservator CDU/CSU po kërkojnë të rishikojnë të drejtën e dyshtetësisë për të huajt që marrin pasaportën gjermane.

Deputeti i CSU, Stefan Mayer, në një intervistë për gazetën Bild, deklaroi se është koha që Gjermania të pyesë veten nëse mund të vazhdojë me “shtetësi të dyfishtë universale”.

“Ne si vend duhet të reflektojmë nëse ende duam dyshtetësi të përgjithshme dhe nëse mund ta përballojmë. Duhet një reformë e thellë e ligjit të shtetësisë,” – tha Mayer.

Sipas tij, personave që përbëjnë rrezik për shoqërinë – “banditëve, kriminelëve të rëndë, armiqve të kushtetutës, antisemitëve dhe urrejtësve të gjermanëve” – duhet t’u hiqet shtetësia gjermane në rast se kanë dy pasaporta.

Në të njëjtën linjë, edhe politikania e CDU, Cornelia Babendererde, theksoi se:

“Shtetësia e dyfishtë duhet të jetë përjashtim, jo rregull. Nëse 80 përqind e atyre që morën shtetësinë në vitin 2023 duan të mbajnë edhe pasaportën e tyre të mëparshme, duhet të pyesim: a është kjo dashuri për Gjermaninë, apo thjesht dëshirë për përfitime nga një pasaportë gjermane?”

SPD kundër, por presioni rritet

Ndërkohë që partia socialdemokrate SPD mbetet kundër heqjes së dyshtetësisë nga ligji aktual, presioni politik po rritet. Pas debateve publike, qeveria ka hequr të drejtën e marrjes së shtetësisë me procedurë të përshpejtuar (brenda 3 viteve), duke rikthyer kufirin minimal prej pesë vitesh qëndrimi të rregullt për marrjen e pasaportës gjermane.

Rritje rekord e shtetësive të reja

Në vitin 2024, sipas Entit Federal të Statistikave, 292,000 persona morën shtetësinë gjermane – një rritje prej 46% krahasuar me një vit më parë, duke shënuar rekord historik.
Një në katër të rinj me shtetësi gjermane (rreth 28%) janë me origjinë nga Siria.

Ndërkaq, nga 201,000 persona që morën shtetësinë në vitin 2023, 80.9% mbajtën edhe pasaportën e mëparshme – pra tani gëzojnë dyshtetësi.

Ky debat prek thelbin e një pyetjeje më të madhe për Gjermaninë: çfarë do të thotë të jesh qytetar gjerman në shekullin XXI? A është mjaftueshëm që dikush të paguajë taksa dhe të respektojë ligjin, apo kërkohet edhe një lidhje shpirtërore dhe identitet i përbashkët me kombin?
Për shumë konservatorë, dyshtetësia po dobëson ndjenjën e përkatësisë kombëtare, duke krijuar një brez njerëzish që përfitojnë nga sistemi, por nuk ndihen pjesë e vërtetë e kombit.

Debati pritet të thellohet në muajt në vijim — dhe për emigrantët që jetojnë në Gjermani, çdo ndryshim ligjor mund të ketë pasoja të mëdha në statusin e tyre juridik dhe jetën e përditshme.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *