Nga Redaksia:
Një fermer izraelit lëroi tokën e tij të enjten, më 9 tetor, duke formuar me plug mbishkrimin “NOBEL 4 TRUMP”, pas presionit të presidentit amerikan Donald J. Trump mbi Izraelin dhe Hamasin që pranuan një marrëveshje për lirimin e të gjithë pengjeve të mbajtura nga grupi islamik në Gaza – marrëveshje që do t’i japë fund luftës në territorin bregdetar.
Presidenti Trump deklaroi të enjten se pengjet e Gazës duhet të lirohen të hënën (13 tetor) ose të martën (14 tetor), ndërsa ai pret të marrë pjesë në një ceremoni nënshkrimi në Egjipt dhe të mbajë një fjalim para Knessetit izraelit.
Pamje ajrore të fermerëve izraelitë që formuan mbishkrimin “NOBEL 4 TRUMP” në arat e tyre po qarkullojnë gjerësisht në rrjete sociale, si një gjest simbolik në mbështetje të rolit të Trump në arritjen e marrëveshjes për paqe.
Gjatë hapjes së një mbledhjeje të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë, Trump foli për marrëveshjen e arritur më 8 tetor, sipas së cilës pengjet e mbajtura nga militantët e Hamasit do të lirohen në fazën e parë të një plani më të gjerë për stabilizimin e Gazës. Ai shprehu bindjen se kjo do të çojë drejt një paqje të qëndrueshme në Lindjen e Mesme.
Sipas planit, Hamasi pritet të lirojë 20 pengjet e mbetur gjallë brenda 72 orëve nga fillimi i armëpushimit.
Ndërkohë, Çmimi Nobel për Paqe 2025 do të shpallet të premten, më 10 tetor, në Oslo, Norvegji. Liderët e Kamboxhias, Izraelit dhe Pakistanit kanë deklaruar se e kanë nominuar Trumpin për këtë çmim. Megjithatë, sipas agjencisë Reuters, këto nominime janë bërë në pranverë dhe verë, pas afatit zyrtar të 31 janarit, ndaj nuk janë të vlefshme për këtë vit.
Një mesazh i qartë nga toka izraelite: “NOBEL 4 TRUMP” – falë ndërmjetësimit që mund t’i japë fund një lufte historike.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
