Avokati Erald Aga: O shqiptar! Më 28 Nëntor, para se të jesh demokrat apo socialist, mos harro që je shqiptar …
Nga Redaksia – Avokati Erald Aga ka përcjellë një mesazh për qytetarët shqiptarë në prag të 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë, duke bërë thirrje për bashkim përtej ndarjeve politike dhe për më shumë përgjegjësi qytetare ndaj vendit.
Në mesazhin e tij, Aga thekson se përpara bindjeve politike, qofshin të majta apo të djathta, identiteti kombëtar duhet të mbetet mbi çdo ndarje partiake.
Ai nënvizon se 28 Nëntori nuk duhet të jetë vetëm një ditë ceremonish dhe simbolesh, por edhe një moment reflektimi për lirinë, drejtësinë dhe dinjitetin e qytetarëve.
Me 28 nëntor nuk na kërkohet të marrim armët. Na kërkohet të ngremë zërin. Të mos pajtohemi me padrejtësinë. Të mos e pranojmë krimin, ndëshkimin dhe nënshtrimin si normalitet e heshtjen si zgjidhje, shprehet avokati Aga.
Më tej, ai thekson se Shqipëria nuk është pronë e asnjë qeverie, partie apo pushteti, por u përket qytetarëve të saj.
Sipas tij, flamuri kombëtar duhet të përfaqësojë një besëlidhje për lirinë, dinjitetin dhe të ardhmen e shqiptarëve, dhe jo të mbetet thjesht një simbol që valëvitet nëpër rrugë.
Në mesazhin e tij, Aga u bën thirrje qytetarëve që të mendojnë për të ardhmen e fëmijëve, për një vend ku ligji të jetë i barabartë për të gjithë dhe ku askush të mos detyrohet të largohet nga Shqipëria për të jetuar me dinjitet.
Historia na la një flamur. E ardhmja pret që ne të mos e ulim atë, përfundon mesazhi i avokatit Erald Aga, me urimin: “Rroftë Shqipëria!”
© Copyright of PatriotikMedia.al


