Nga Emmanuel Alejandro Rondón – voz.us
Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar në rrjetin social Truth shpalljen e lëvizjes ANTIFA si organizatë terroriste. Sipas Shtëpisë së Bardhë, ky hap synon hetimin dhe ndëshkimin e atyre që, sipas gjykimit të presidentit, financojnë këtë lëvizje të majtë radikale.
“Me gëzim njoftoj patriotët tanë të shumtë në SHBA se po e shpall ANTIFA-n, KATASTROFË TË SËMURË, TË RREZIKSHME DHE TË MAJTËS RADIKALE, SI ORGANIZATË TERRORISTE TË MADHE”, – tha Trump. – “Do të rekomandoj fuqimisht që ata që e financojnë ANTIFA-n të hetohen deri në fund, sipas standardeve dhe praktikave më të larta ligjore. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”.

Aktualisht, as presidenti Trump dhe as zëdhënësit e Shtëpisë së Bardhë nuk kanë sqaruar mekanizmin ligjor që do të përdoret për shpalljen. Duke qenë se Antifa është një lëvizje e decentralizuar, pa hierarki apo udhëheqje të qartë, ende nuk dihet se cilat individë apo organizata do të preken drejtpërdrejt nga vendimi presidencial.
Ky hap i Trump vjen vetëm dy ditë pasi ai u pyet nga gazetarët për vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk dhe rritjen e dhunës politike në SHBA. Në atë konferencë për shtyp, presidenti paralajmëroi masa të forta kundër ANTIFA-s, përfshirë këtu edhe mundësinë e përdorimit të Ligjit RICO kundër financuesve të lëvizjeve të dhunshme.
Sipas Trump, përdorimi i Ligjit RICO kundër financuesve të organizatave ekstremiste është jetik për sigurinë kombëtare, duke theksuar se aktet vandale “nuk janë protesta, por krime”. Ai përshkroi skena të sulmeve me tulla kundër automjeteve të ICE dhe Patrullës Kufitare, duke kritikuar administratat e mëparshme që, sipas tij, kishin imponuar mbi forcat e rendit një kulturë të “mosreagimit”.
“Atyre u ishte thënë nga një administratë e kaluar që të mos reagonin. U kthye thuajse në kulturë. Nëse dikush të hedh një gur, mos bëj asgjë. Nëse dikush të pështyn në fytyrë, mos bëj asgjë. Unë them: kur të pështyjnë, përgjigju. Bëj atë që do. Bëj atë që të thotë qejfi, atë që të vijë mbarë!”, – u shpreh Trump./
Ky material është pronë e Patriotikmedia.al dhe është i mbrojtur nga ligjet për të drejtën e autorit. Ndalohet riprodhimi, apo publikimi i plotë apo i pjesshëm i këtij materiali pa lejen e shkruar paraprakisht nga redaksia. Shkelësit do të përballen me pasojat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.