Nga Redi Minga:
U bën disa muaj që, fadromat e qeverisë kanë dal në terren për të rrënuar vila e ndërtime pa leje. Pamjet shiten si “forca e ligjit” dhe si dëshmi se Shqipëria “po përgatitet për BE-në”. Por e vërteta është krejt tjetër: kemi një kryeministër të kthyer në kryetar komune, që përdor fadromën si armë propagande, ndërkohë që problemet e mëdha të vendit zhyten në harresë.
Ndiqni videon:
Ku ishte Rama dhe shteti kur u ndërtuan këto vila?
Këto ndërtime luksoze nuk u ngritën brenda natës. Ato kanë vite që ekzistojnë, me rrugë, drita dhe lidhje me ujësjellësin publik. Dhe nuk janë ndërtuar në fshehtësi, por hapur, me mbështetje të heshtur nga pushteti lokal e qendror.
- Kush i dha lejet?
- Kush i mbylli sytë?
- Kush përfitoi ryshfetet për t’i lënë të lulëzojnë?
Pikërisht njerëzit e qeverisë, klientët e pushtetit dhe oligarkët e lidhur me Ramën.
Spektakli i rrënimeve

Sot, kur i duhet të tregojë “forcë”, Rama del me fadroma dhe rrënon. Por ky nuk është shtet ligjor, është shtet spektakli. Për një kryeministër, ligji nuk bëhet me kamera, por me institucione të forta, gjykata që funksionojnë dhe dënim të atyre që kanë lejuar e nxitur ndërtime pa leje.
Në vend të ndëshkimit të atyre që e shkaktuan këtë gjendje, Rama zgjedh të ndëshkojë muret dhe betonin. Dhe ky është mashtrimi i radhës.
Shqipëria në BE, por vetëm në propagandë
Rama shfaqet sikur po pastron vendin për BE. Por Brukseli nuk kërkon propagande. BE kërkon:
Drejtësi të pavarur;
Gjykata që nuk varen nga kryeministri;
Media të lira;
Luftë të vërtetë kundër korrupsionit;
Ekonomi të shëndetshme dhe ndalim të emigrimit masiv.
Asnjë nga këto nuk po ndodh. Përkundrazi, Shqipëria po boshatiset nga qytetarët, ndërsa pushteti kap çdo qelizë të shtetit.
Kryeministër me fadromë që kërkon të grabisë edhe pronat e ushtarakëve
Rënimi i vilave dhe ndërtimeve pa leje nuk është politikë shtetërore, por një akt shfaqjeje për të mbuluar dështimet e tij në ekonomi, drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit. Rama e ka kthyer propagandën në një armë pushteti, ndërkohë që realiteti i shqiptarëve bëhet gjithnjë e më i vështirë.
Por rreziku më i madh është plani i Ramës për të futur ushtrinë nën administratën e tij, me qëllim grabitjen e pronave ushtarake. Ky veprim jo vetëm që është një skandal, por edhe cënon direkt sigurinë kombëtare. Heqja e ushtrisë nga pikat strategjike e dobëson aftësinë e saj për të përmbushur misionin kushtetues dhe mbrojtës. Shqipëria nuk ka luksin të mbetet pa asetet e saj ushtarake, ndërsa një Kryeministër i papërgjegjshëm i shet për interesa private.
Në vend që të forcojë shtetin dhe ushtrinë, Rama i dëmton ato duke e shndërruar pushtetin e tij në një kompani ndërtimi dhe shkatërrimi, ku prioritet është propaganda dhe jo interesi kombëtar.
Rama nuk duket më si udhëheqës i një shteti kandidat për BE, por si një shef inspektorati ndërtimor. Ai ka humbur profilin e një kryeministri që përfaqëson kombin në arenën ndërkombëtare. Sot, shfaqet vetëm si një menaxher lokal, që bën spektakël mbi rrënoja për të mbuluar dështimet e mëdha.
Fadromat e Ramës nuk tregojnë forcën e ligjit, por dobësinë e shtetit. Ato janë dëshmi e një pushteti të kapur nga propaganda, që fshihet pas spektaklit për të mbuluar korrupsionin. Dhe sa kohë që Shqipëria qeveriset si një “komunë e madhe” dhe jo si një shtet modern europian, dita e hyrjes në BE do të mbetet një mashtrim i përhershëm.
Ky material është pronë e Patriotikmedia.al dhe është i mbrojtur nga ligjet për të drejtën e autorit. Ndalohet riprodhimi, apo publikimi i plotë apo i pjesshëm i këtij materiali pa lejen e shkruar paraprakisht nga redaksia. Shkelësit do të përballen me pasojat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.