20 Aug 2025, Wed

ANALIZA: Zgjedhjet e parakohshme për Kryetarin e Bashkisë së Tiranës? – Një skenar praktikisht i pamundur …

Nga Andrea Bregu:

Së fundmi është hedhur në diskutim ideja e mbajtjes së zgjedhjeve të reja për Kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Por, në analizë të ftohtë, një skenar i tillë është praktikisht i pamundur.

Pse nuk mund të shkarkohet Veliaj tani?

Prej javësh kam theksuar se Erion Veliaj nuk mund të shkarkohet, pasi:

Mandati i tij nuk ka përfunduar ende.

Nuk ekziston një vendim gjykate i formës së prerë kundër tij.

Çdo artificë ligjore për shkarkim do të përballej me ankimim në gjykatë, ku një masë sigurie do të mjaftonte për të pezulluar procedurat për zgjedhje të reja.

Pra, edhe sikur Këshilli Bashkiak ose vetë Rama të ndërmerrnin një hap të tillë, procesi do të mbërthehej në ngërç juridik.

Interesi politik i Ramës

Nga pikëpamja politike, Rama nuk ka interes që të hapë çështjen e pasuesit të Veliajt para vitit 2027. Arsyet janë disa:

Përzgjedhja e një kandidati të ri do të prishte ekuilibrat e brendshëm në PS.

Rama nuk ka ende kohë për të ribalancuar krahët e partisë, sidomos tani që Veliaj është ende pjesë e lojës.

Një kryetar i përkohshëm i Bashkisë së Tiranës do të kishte vetëm një mandat të shkurtër njëvjeçar, duke krijuar më shumë kosto sesa përfitim si për Ramën, ashtu edhe për kandidatët potencialë brenda PS.

Ç’fiton opozita?

Edhe sikur opozita të fitonte një garë të tillë të parakohshme, pushteti real do të mungonte. Këshilli Bashkiak është i kontrolluar nga PS, dhe çdo vendim kalon aty. Në praktikë, kjo do të ishte një “fitore pa pushtet” në Tiranë.

Çfarë duhet të bëjë opozita?

E vetmja gjë pozitive nga ky debat është fakti se opozita duhet të nisë që tani përgatitjet për të fituar Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e ardhshme të rregullta. Nëse kjo punë lihet vetëm për 6 muajt e fundit, atëherë beteja është e humbur që në start.

Prandaj, nëse opozita dëshiron realisht fitoren, ajo duhet të jetë e organizuar dhe e vendosur që PS dhe Rama ta humbasin Tiranën – me çdo kusht.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *