9 Aug 2025, Sat

Profesori: “Koha juaj ka mbaruar” – Shqipëria e 2025-s s’mund të tolerojë më një klasë politike të kalbur …

Nga Redaksia:

Në një status të bërë disa kohë më parë Profesor Përparim Kapo thotë: “Koha juaj ka mbaruar!”, ai nuk e thotë si një fjali retorike, por si një thirrje e fundit, e ngarkuar me dhimbjen dhe shpresën e një populli që është i lodhur nga tradhtia, i tredhur nga padrejtësia, por ende nuk është dorëzuar.

Në vitin 2025, fjala e tij është më aktuale se kurrë.

Sepse kjo klasë politike që po sundon Shqipërinë, nuk është më as e majtë, as e djathtë, as progresiste, as konservatore. Është vetëm një klasë e korruptuar që ka marrë peng shtetin dhe ka kthyer demokracinë në një teatër kukullash.

A nuk i shohim me sytë tanë?

Dje ishin në PPSH, sot bëjnë si “liberalë” europianë.

Dje rrinin nën ombrellën e Ramiz Alisë, sot bëjnë si “liderë perëndimorë”.

Dje ishin bashkë në pazaret e 21 Janarit, sot zihen si fëmijë për karrige e tendera.

Sot të shesin Sorosin si shpëtimtar, nesër i shajnë ambasadorët për vota.

Të njëjtët njerëz, të njëjtat fytyra, të njëjtat zakone – njësoj si në 1997, si në 2005, si në 2013, si në 2021 dhe sot në 2025.

Ndërsa populli punon si skllav në emigracion, ndërsa fshatrat po shuhen, ndërsa djemtë e vajzat po largohen me gomone, këta sundimtarë rilindas me kostum firmato dhe orë 10 mijë euro, bëjnë teatër në parlament dhe luks në vila me qira të paguara nga ne.

Profesor Kabo e tha troç:

“As vila, as jahti, as çanta 6 mijë euro të fëmijëve që s’kanë punuar kurrë, nuk jua bëjnë jetën më të lumtur… Koha juaj ka mbaruar!”

Po, koha e tyre ka mbaruar. Por pyetja është: a do të zgjohet ky popull që t’i çojë në fundin e historisë këta që e kanë vjedhur, mashtruar dhe poshtëruar për 34 vjet me radhë?

Në 2025, Shqipëria është kthyer në një koloni digjitale të globalistëve, ku Edi Rama po mbyll ciklin e katërt të pushtetit me një strukturë të përkryer autokratike, të mbështetur nga “fondacionet”, oligarkët, ambasadat dhe një opozitë e kapur.

Në këtë realitet të zymtë, fjala e Profesorit është si një këmbanë që fton ndërgjegjen:

“Demokracia nuk është vjedhje e sovranitetit për të pasur ti pushtetin autokratik!”

Kjo është koha e fundit për popullin shqiptar të zgjohet, të mos presë më nga “shpëtimtarët televizivë”, por të kthejë sovranitetin tek vetja. Sepse, siç e thotë edhe Profesori:

“Ky popull fisnik s’ka për të duruar më!”

Dhe nëse nuk zgjohemi tani, nesër do të jetë vonë – jo për ta, por për fëmijët tanë që s’kanë më atdhe ku të kthehen.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *