9 Aug 2025, Sat

Mallkue qoftë kush s’na do bashkë – Thirrja e fundit për një komb që po “shuhet” …

Nga Redi Minga:

Në çdo skaj të trojeve shqiptare sot ndihen jehona të përçarjes: veriu kundër jugut, të majtë kundër të djathtëve, shqiptarët e Shqipërisë kundër kosovarëve, e emigrantë kundër vendasve, të besuarit kundër të pabesuarve, “elitat” kundër popullit.
Në këtë realitet të zymtë, një fjali kumbon si një mallkim i shenjtë:

“Mallkue qoftë kush s’na do bashkë.”

Kjo nuk është një thënie thjesht emocionale. Kjo është një shpallje lufte ndaj çdo mendje të kalbur që ndërton ndasi në gjak e në tru, që shet identitetin për interesat politike, dhe që u shërben të huajve duke përçarë shqiptarët mes vedi.

Bashkimi është armiku i vetëm që i frikëson të korruptuarit

Nuk është rastësi që çdokush që flet për unitetin kombëtar shpallet ekstremist apo i papërshtatshëm për “Evropën”. Ata që e kanë kapur shtetin, drejtësinë, median dhe opozitën, e dinë mirë që një popull i bashkuar nuk blihet, nuk përdhunohet dhe nuk përdridhet.

Prandaj investojnë çdo ditë për të na ndarë. Sot kemi:

Politikanë që e përdorin ndasinë veri–jug për vota.

Opinionistë që shpikin përplasje mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Myslimanë e të krishterë që shihen me dyshime, në vend që të jenë vëllezër.

Shqiptarë të diasporës që po diskriminohen nga vetë shteti shqiptar.

Mallkimi i përçarjes është më i rrezikshëm se çdo armik i jashtëm

Asnjë pushtues në histori nuk na ka dëmtuar më shumë sesa përçarja në mes te shqiptarëve.
Në çdo periudhë historike, ka pasur tradhtitë më të mëdha dhe nuk kanë ardhur nga të huajt, por nga vete shqiptarët që nuk donin bashkimin.

Ata që i bënë atentate patriotëve.

Ata që i dhanë në dorë flamurin pushtuesit.

Ata që spiunuan në emër të partisë, dhe sot rrinë në zyrat e qeverisë e opozitës.

Prandaj, “Mallkue qoftë kush s’na do bashkë” është më shumë se mallkim – është gjykim historik.

Koha është tani: O bashkim, o shuarje

Populli shqiptar është në prag të shpërbërjes: shpirtërore, kombëtare, kulturore dhe gjeografike. Emigrimi i pandalshëm, kriza e identitetit, përçudnimi i historisë, kontrolli i mediave dhe blerja e vetëdijes kombëtare janë simptoma të sëmundjes që vetëm një kurë e ka: Bashkimi Kombëtar.

Jo si slogan partiak.
Jo si projekt burokratik.
Jo si ndarje kockash mes liderësh.

Por si ideal, si mision, si gjak që na bashkon, si gjuhë që na thërret, si flamur që nuk na ndahet.

Dhe kush nuk e do këtë bashkim, kush punon kundër tij, kush mbjell ndasi – le të mallkohet nga historia, nga gjaku i të rënëve dhe nga loti i atdheut!

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *