Berlin – Në një zhvillim që tregon qartë sa thellë po futet edhe Gjermania në krizën politike dhe ideologjike të stilit amerikan apo polak, Bundestagu gjerman anuloi papritur sot zgjedhjen e tre gjyqtarëve të rinj për Gjykatën Kushtetuese. Vendimi u mor pas një përplasjeje të ashpër politike brenda vetë koalicionit dhe në radhët e opozitës së djathtë, ku shënjestër u bë kandidatja e propozuar nga SPD-ja, Frauke Brosius-Gersdorf.
Çfarë ndodhi?
Zakonisht një procedurë formale, zgjedhja e gjyqtarëve për Gjykatën më të lartë të vendit u kthye sot në një skenë të turpshme grindjesh politike. Seanca u ndërpre disa herë – në fillim në orën 11:00, më pas në 11:30 dhe 11:45 – derisa u vendos zyrtarisht që zgjedhja të hiqej nga rendi i ditës. Shkak: kundërshtimi i fortë i Unionit (CDU/CSU) ndaj emërimit të Brosius-Gersdorf, një profesore e njohur e të drejtës kushtetuese.
Akuzat, kërcënimet dhe sharjet
Frauke Brosius-Gersdorf është bërë shënjestër e sulmeve nga qarqe të djathta ekstreme për qëndrimet e saj mbi të drejtën për abort dhe mbështetjen ndaj vaksinimit. Madje, sipas SPD-së, ajo ka marrë edhe kërcënime për vdekje.
Deputeti i AfD-së, Gottfried Curio, e quajti me zë të lartë “ekstremiste e majtë”, gjë që i kushtoi një thirrje për rregull nga presidenca e parlamentit. Një tjetër figurë e AfD-së, Bernd Baumann, e përdori fjalën e tij për të sulmuar qeverinë dhe për të paralajmëruar për një ndalim të mundshëm të partisë së tij – ndërkohë që pretendonte se AfD është “forca e vetme konservatore e qëndrueshme” në Gjermani.
Reagime të ashpra: “Desaster”, “turp”, “hetz-kampanjë”
SPD foli për një “hetz-kampanjë të rrezikshme” ndaj një gruaje të respektuar në shkencën juridike.
Të Gjelbrit, nëpërmjet Britta Haßelmann, i kërkuan llogari drejtuesve të CDU-së, si Jens Spahn dhe kancelarit Friedrich Merz, duke thënë:
“Kjo është turpëruese për një shtet që pretendon të jetë demokratik. Si grua, këtë nuk mund ta tolerosh më!”
E Majta, përmes Heidi Reichinnek, akuzoi drejtpërdrejt CDU-në për aleancë të fshehtë me AfD-në dhe paralajmëroi një koalicion të errët “blu e zi”.
Në thelb: Gjyqtarët nuk u zgjodhën fare
Zgjedhja që duhej të ndodhte sot ishte aprovuar më herët nga komisioni përkatës me 2/3 e votave. Kandidatët ishin:
Günter Spinner (i mbështetur nga Unioni)
Ann-Katrin Kaufhold (SPD)
Frauke Brosius-Gersdorf (SPD)
Por pas shpërthimeve politike dhe skandalit të sajuar mediatik ndaj Brosius-Gersdorf – duke përfshirë akuza për plagjiaturë që qarkulluan qëllimisht në media ditët e fundit – gjithçka u shty pa afat.
Një krizë gjermane me nuanca ballkanike
Nëse dikush mendonte se vetëm në Ballkan prishen proceset kushtetuese për hesap partie, sot Berlini tregoi të kundërtën. Përplasjet ideologjike, ndikimi i mediave të djathta dhe frika nga rritja e ekstremit të djathtë po e fusin Gjermaninë në një spirale destabiliteti politik.
E ndërkohë, institucioni më i lartë juridik i vendit – Gjykata Kushtetuese – mbetet me vende bosh. Jo për mungesë kandidatësh, por për shkak të luftës politike që po gërryen edhe atë çka konsiderohej si modeli i stabilitetit evropian./LTO.de
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.