Nga Redaksia:
Në rrjetet sociale kohët e fundit po qarkullon një fotografi e një vajze të re me uniformë ushtarake, e shoqëruar me një tekst që e prezanton si “Teuta Kokalari – spiune shqiptare nga Gjirokastra që ka vepruar në Jugosllavi nga viti 1945 deri në 1968, bashkëpunëtore e Asim Alikos dhe Mark Dodanit”.
Ky pretendim është totalisht i pabazë, tek një faqe facebook-u me emrin Media Independenti është i pa dokumentuar dhe është pjesë e një vale të re të mitologjizimit artificial të figurave fiktive që nuk kanë asnjë lidhje me historinë reale të shërbimeve sekrete shqiptare.

Nuk Ekziston në Arkiva
As në arkivat shqiptare, as në ato jugosllave, nuk ekziston asnjë referencë apo dokument që përmend një agjente me emrin Teuta Kokalari që të ketë vepruar në shërbim të Sigurimit të Shtetit në territorin e Jugosllavisë pas Luftës së Dytë Botërore. Emri i saj nuk del në asnjë dokument zyrtar, studim akademik, apo burim historik serioz.
Një Foto e Ngjyrosur pa Identitet
Fotografia që po qarkullon në rrjet është shumë e dyshimtë dhe e gjasës së madhe e përpunuar përmes inteligjencës artificiale (AI) ose e shkëputur nga ndonjë arkiv i huaj, ku figura e vajzës së fotografuar nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë. Uniforma gjithashtu nuk ka simbolet e njohura të ushtrisë apo shërbimit sekret shqiptar të kohës, dhe detajet janë të paqarta.
Kujdes me Dezinformimin
Emra si Mark Dodani janë figura të dokumentuara të sigurimit dhe diplomacisë së regjimit komunist, por nuk ekziston asnjë burim serioz që të përmendë “Teuta Kokalarin” si bashkëpunëtore të tyre. Përfshirja e mbiemrit “Kokalari”, një mbiemër i rëndësishëm në historinë dhe kulturën shqiptare, duket më tepër si një tentativë për të i dhënë legjitimitet një miti të sajuar, ndoshta me qëllim propagandistik ose thjesht për të bërë “sensacion” në rrjet.
Legjenda pa Këmbë
Ky është një nga ato raste kur një lajm i rremë, i ndërtuar mbi zero fakte dhe një foto pa kontekst, përhapet në mënyrë virale në rrjete sociale duke u marrë si i vërtetë nga ata që nuk e verifikojnë informacionin. Portali PatriotikMedia.al bën thirrje për kujdes ndaj dezinformimit historik, sidomos kur bëhet fjalë për tema të ndjeshme si shërbimet sekrete dhe figura të pretenduara patriotike.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.