Kur kombi flet me heshtjen e gjakut dhe me qëndresën e bijve të vet, historia nuk shkruhet me bojë – por me jetë, flijim dhe trimëri.
Nga Redaksia – Patriotikmedia.al
Në një kohë të errët, kur shqiptarët shtypeshin, shpërnguleshin dhe përçmoheshin në trojet e tyre, një djalë nga Botusha e Malësisë së Gjakovës zgjodhi të mos përkulej. Ai nuk zgjodhi rrugën e servilizmit, por rrugën e nderit kombëtar, të dinjitetit dhe të qëndresës. Ky ishte Hamit Haxhiu (1955 – 1990) – një emër që sot qëndron në panteonin e heronjve të heshtur, por të pavdekshëm të kombit shqiptar.
Një jetë për komb, jo për karrierë
Më 5 janar 1955, në Botushën krenare, lindi Hamit Haxhiu. Djali i një familjeje të ndershme dhe të përndjekur nga regjimet sllave, ai u rrit me ndjenjën e drejtësisë dhe përkushtimit për tokën e të parëve. Shkollën fillore e kreu në Mulliq, ndërsa gjimnazin ushtarak dhe më pas Akademinë Ushtarake i ndoqi në Beograd e Banja Llukë – ndër më të mirët, ndër më të dalluarit.

Dëshira e tij ishte të bëhej pilot – ëndërr që ju mohua, sepse emri i tij ishte shqiptar. Ai e donte Shqipërinë etnike, jo uniformën e huaj që mbante. Dhe këtë e tregoi çdo herë kur rikthehej në Botushë me plis në kokë, duke përqafuar zakonet shqiptare dhe duke i përbuzur gradat që shiteshin me përkulje.
Trimi që mbrojti shqiptarët edhe në kazermat e armikut
Si oficer në ushtrinë jugosllave (APJ), Hamiti shquhej për drejtësi, trimëri dhe përkushtim ndaj ushtarëve shqiptarë. Ai nuk heshti kurrë për padrejtësitë. Në vitin 1981, kur divizioni i tij u dërgua në Kosovë për të shtypur protestat, Hamiti u revoltua haptazi ndaj metodave çnjerëzore të shtetit serb. Kjo e bëri armik të sistemit.
Nga komandant tankesh, u ul në shofer autobusi. Pastaj u transferua në mënyrë të dyshimtë larg Kosovës. Më vonë, si shenjë hakmarrjeje, vëllezërit e tij u burgosën për veprimtari atdhetare, ndërsa Hamiti vendosej nën mbikëqyrje dhe presion të vazhdueshëm psikologjik.

Por ai nuk u thye. Ai u kthye në simbol shprese për ushtarët shqiptarë. Ndër kazermat e Nishit, zëri i tij kumbonte në qetësinë e këngëve shqiptare, ndërsa ai pëshpëriste me zë të ulët: “Liria është e shtrenjtë, dhe kërkon sakrifica.”
Helmimi dhe martirizimi i një shenjtori të heshtur
Më 11 korrik 1990, pas disa ditësh qëndrimi në spitalin ushtarak të Nishit, Hamit Haxhiu ndërroi jetë në Beograd, i helmuar me metoda të panjohura. Ditën që u sëmur, kishte pirë një birrë me shije të çuditshme. Mjekët flisnin për helmim. Dëshmitarët përmendin presione të mëdha ndaj tij – sidomos pasi denoncoi një epror për vrasjen e ushtarëve shqiptarë.
Ai nuk u vetëvra, nuk vdiq rastësisht – u vra sepse ishte shqiptar, sepse kishte guximin të mbrohej dhe të fliste.
Varrimi që u kthye në referendumin e popullit shqiptar
Trupi i Hamitit u soll në Botushë pa ceremoni ushtarake. Familja nuk pranoi fjalime të rreme nga ata që i lanë duart me gjakun e tij. Populli shqiptar e përcolli me lot e me krenari. Mijëra burra e gra nga të gjitha trevat vërshuan drejt Botushës. Ushtarë serbë me tanke dhe helikopterë rrethuan rrugët, por nuk ndaluan dot një popull që i dilte nderi birit të tij.
I tillë ishte Hamit Haxhiu: një hero i heshtur që nuk kishte nevojë për flamuj, sepse e kishte flamurin në shpirt; nuk kishte nevojë për grada, sepse kishte nderin në zemër.
Një emër që meriton përjetësi
Sot, kur kujtojmë këtë burrë të madh, pyesim veten: a kemi bërë sa duhet për ta nderuar? Në hyrje të një kazerme të ushtrisë shqiptare duhet të shkruhet me shkronja të arta:
“Kazerma Hamit Haxhiu”
Ose ndoshta një shkollë ushtarake, një institucion kombëtar – kudo ku edukohen brezat me guxim dhe dashuri për Atdheun.
Lavdi përjetë, bir i Botushës dhe i Shqipërisë Natyrale!
Në këtë 35-vjetor të rënies së tij, ne nuk e përkujtojmë vetëm një ushtarak – e përkujtojmë një KRENARI KOMBETARE.
Për të tillët si Hamiti, flamuri kuqezi nuk valon vetëm në ditë feste – ai valon përjetë në çdo zemër shqiptari që nuk harron!
Lavdi Hamit Haxhiut!
Lavdi Botushës së pamposhtur!
Lavdi Malësisë së Gjakovës që lindi burra të tillë!
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.