Nga Vladimir Prifti
Para pak kohësh dëgjova një bashkëbisedim mes Kryeministrit Edi Rama dhe gazetarit Ylli Rakipi. Ajo që më tërhoqi vëmendjen ishte pjesa ku diskutonin mbi problemin e pensioneve. Rakipi iu referua një raporti të Bankës Europiane, ku thuhej se afro 50% e pensionistëve shqiptarë marrin më pak se 65 euro në muaj, dhe sipas këtij institucioni ndodhen në kufijtë e varfërisë.
Por Kryeministrit iu desh pak kohë për të reaguar. Në vend që të jepte një përgjigje të drejtë dhe konkrete, ai u mundua ta relativizonte situatën, duke i kërkuar gazetarit që të “nxirrte kuptimin e plotë të thënies së Bankës”, jo vetëm një pjesë të saj. Rama u përpoq të fliste ashtu siç i pëlqen vetë – jo për të zgjidhur problemin, por për të justifikuar realitetin.
Sipas tij, arsyeja pse pensionet janë të ulëta qëndron te fakti se para vitit 2013, pensionet nuk ishin të lidhura me kontributet shoqërore. Ai pretendon se pas reformës së pensioneve në vitin 2014, pensionet janë të larta. Por çfarë ndodh me gjysmën tjetër të pensionistëve që kanë dalë në pension para reformës?
Është fakt se parimi i daljes në pension bazohet në siguracionet e punës dhe në vlerën reale të lekut. Të gjithë profesionistët, qoftë mësues, inxhinierë, minatorë, pastruese apo kooperativistë, kanë kryer punë të barabarta për nga përkushtimi dhe kontributi. Por diferenca e vetme që ka ndodhur ndër vite është zhvlerësimi i lekut dhe rritja e çmimeve.
Nëse një mësues kishte një pension prej 4.500 lekësh deri në vitin 1990, sot ai duhet të kishte një pension minimal prej 450.000 lekësh të vjetra (ose 45.000 lekë të reja), vetëm për të ruajtur fuqinë blerëse të njëjtë. Dhe kjo shumë afërsisht përkon me pensionet e atyre që kanë dalë pas reformës.
Po pse atëherë nuk trajtohen njësoj edhe ata që kanë dalë në pension më herët? Pse për të njëjtën punë, disa trajtohen si “fëmijë të njerkës” dhe disa si “fëmijë të mamasë”?
Këtu qëndron absurdi i llogjikës së kryeministrit: për të njëjtën punë, disave u takon pension i lartë dhe disave jo. Dhe gjatë gjithë sqarimit të tij nuk u përmend asnjëherë as rritja e çmimeve, as zhvlerësimi i lekut, as fuqia blerëse.
Rama thjesht dëshiron të flasë. Por ajo që thotë, vetëm një i paditur mund ta besojë. Dhe për fat të keq, atë e kuptojnë vetëm analfabetët funksionalë me diploma të prodhuara nga “shkolla rilindase”.
Ky material është pronë e Patriotikmedia.al dhe është i mbrojtur nga ligjet për të drejtën e autorit. Ndalohet riprodhimi, shpërndarja apo publikimi i plotë apo i pjesshëm i këtij materiali pa lejen e shkruar paraprakisht nga redaksia. Shkelësit do të përballen me pasojat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.