Kryeministri pranon dështimin në “luftën digjitale” dhe urdhëron zbritjen në terren

TIRANË – Pas 24 ditësh protestash të pandërprera dhe një përballjeje të ashpër në rrjetet sociale, në kampin e mazhorancës duket se po rishikohen strategjitë e komunikimit. Burime të konfirmuara nga mbledhja e zhvilluar të mërkurën në mëngjes mes Kryeministrit Edi Rama dhe drejtuesve politikë të Partisë Socialiste bëjnë me dije se kreu i qeverisë ka pranuar se beteja në hapësirën digjitale nuk po shkon sipas pritshmërive.

Sipas burimeve, në qendër të diskutimeve ka qenë vala e protestave që prej 24 ditësh ka përfshirë Tiranën dhe qytete të tjera të vendit, duke tërhequr vëmendjen edhe jashtë Shqipërisë. Ndryshe nga deklaratat e ditëve të fundit, Rama thuhet se ka mbajtur një ton më të kujdesshëm dhe ka kërkuar ndryshim të qasjes.

“Jemi në një luftë digjitale, të cilën nuk e fitojmë dot. Është e kotë. Nuk kemi zgjidhje tjetër, përveçse të zbresim në terren dhe të takojmë qytetarët. Duhet të jemi pranë tyre në këtë situatë. Sa herë që duket sikur situata po menaxhohet, ajo rikthehet sërish në të njëjtën valë”, citohet të ketë thënë Kryeministri gjatë takimit.

Deklarata vjen në një moment kur në skenën politike është rikthyer në vëmendje edhe emri i Endri Fugës, strategut të komunikimit të Ramës, i cili prej vitesh konsiderohet si arkitekti i fushatave mediatike dhe digjitale të qeverisë. Burime pranë mazhorancës flasin për një riorganizim të mënyrës së komunikimit, me fokus më të madh tek kontakti i drejtpërdrejtë me qytetarët, pas perceptimit se propaganda në rrjetet sociale nuk po arrin të neutralizojë pakënaqësinë në rritje.

Analistë të ndryshëm e shohin këtë si një pranim të heshtur se kontrolli i narrativës në internet po bëhet gjithnjë e më i vështirë dhe se protesta, pavarësisht përpjekjeve për ta minimizuar, ka arritur të imponojë temat e saj në debatin publik.
Mbetet për t’u parë nëse ndryshimi i strategjisë së komunikimit dhe rikthimi i strukturave të Partisë Socialiste në terren do të mjaftojnë për të zbutur tensionin politik, ndërsa protesta hyn në javën e katërt dhe kërkesat e protestuesve vijojnë të mbeten të pandryshuara.

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top