Nga Bledi Dika:
Më 2 dhjetor 1945 u mbajtën zgjedhjet e para të pasluftës. Subjekt zgjedhor ishte Fronti Demokratik, i kryesuar nga kandidatët e Partisë Komuniste.
Votuesi paraqitej përpara dy kutive të votimit. Kutia e Frontit Demokratik mbante emrin e kandidatit, kryesisht nga Partia Komuniste, ndërsa kutia tjetër ishte pa kandidat dhe njihej si “kutia e armikut”.
Pra, në thelb, votimi kishte natyrë referendare. Mund të votohej pro kandidatit duke hedhur goglën në kutinë e Frontit ose kundër tij duke hedhur goglën në kutinë pa emër.
Që të ruhej ideja e fshehtësisë së votës, kutitë ishin të shkëputura nga komisioni. Votuesi pajisej me një gogël, gur ose zar, të cilin duhej ta hidhte në kuti, pasi pjesa më e madhe e njerëzve ishte analfabete dhe, për këtë arsye, nuk mund të përdorej fleta e votimit.
Këto zgjedhje nuk shërbenin vetëm për të ndërtuar fasadën demokratike të regjimit të ardhshëm, por, mbi të gjitha, edhe për të evidentuar armiqtë politikë të komunistëve. Për këtë arsye, në fund të kutisë pa emër komunistët vendosnin një fletë llamarine. Nëse një individ votonte kundër kandidatit të Frontit, gogla e hedhur në kutinë pa emër kërciste mbi llamarinë. Zhurma fatale dëgjohej nga patronazhisti përkatës dhe procesverbalizohej, duke krijuar kështu databazën e parë të personave kundërshtarë politikë të komunistëve, të cilët në vitet në vijim do të internoheshin, burgoseshin dhe ekzekutoheshin.
Lind kështu figura e patronazhistit të parë politik në Shqipëri. Nga ai moment, regjimi kuptoi se kjo specie ishte tejet e rëndësishme për të mbajtur nën kontroll njerëzit dhe vendin. Jo vetëm kaq, por roli i patronazhistit duhej të shtrihej më shumë në hapësirë dhe në kohë. Nuk mjaftonte roli i tij në zgjedhje, por patronazhisti duhej të ishte kudo: në rrethet shoqërore, në punë, në ndërmarrje, në fabrika, në uzina, në autobus, te radha e bukës, te radha e qumështit, në kafene, në sport, në biblioteka, në rrugë, prapa ferrës, prapa murit, prapa derës, te vrima e çelësit, në farefis, brenda familjes dhe madje, pse jo, edhe në krevat. Në vijim, patronazhisti i ditëve të para do të njihej ndryshe si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.
Pra, hapi i parë i patronazhimit është informimi mbi personin që po mbikëqyret. Informimi, për të mos thënë spiunimi, ndodh zakonisht duke përdorur dy shqisa: shikimin dhe dëgjimin.
Mëkati fillestar, më 2 dhjetor 1945, nisi nga dëgjimi i kokrrës që kërciste. Pse dëgjimi është më djallëzor e më i ndyrë se shikimi?
Nëse patronazhisti raporton duke u bazuar te shikimi, ngjarja është disi më faktike: “Pashë me sytë e mi”, “iku atje dhe erdhi këtu”, “takoi filanin dhe përqafoi fistekun”.
Raportimi nga dëgjimi i nënshtrohet një shkalle shumë të lartë të shtrembërimit konjitiv (efekti i telefonit të prishur, cognitive bias). Tani që mendoj, ndoshta për këto arsye ishte kaq e përhapur loja e telefonit të prishur gjatë periudhës së komunizmit. Ndoshta… por kjo është temë tjetër.
Me fjalë të tjera, spiunimi vizual mbulon më së shumti skenën publike ose gjysmëpublike. Njerëzit, instinktivisht, e dinë se kur janë në publik, se mund të vrojtohen, prandaj mund të mbrohen duke krijuar një maskë sociale, një lloj vetëcensure vizuale.
Spiunimi auditiv, pra përgjimi i fjalës, përfaqëson hapësirën më intime të mendimit dhe emocioneve. Në aspektin psikologjik, të spiunosh diçka të dëgjuar do të thotë të thyesh mburojën e fundit të intimitetit njerëzor. Pak a shumë si policia orwelliane e mendimit. Spiunimi që dëgjon duhet të afrohet, të të gënjejë, të fitojë besimin, të rrijë me veshin pas murit. Spiunimi nëpërmjet veshit kërkon një gradë të lartë perversiteti karakterial, një gradë të lartë vullnetarizmi prostitucional, për të trafikuar vlera njerëzore, për të trafikuar ndjesitë dhe bindjet e të tjerëve për qëllime të treta.
Nga patronazhisti që dëgjonte zarin, te ai gjatë regjimit që dëgjonte prapa murit, e deri te patronazhisti i sotëm, për fat të keq, jemi ende nën veprimtarinë helmuese të të njëjtëve fukarenj rruge që, skuthçe, veprojnë vetëm me një synim: si të përfitojnë një lugë supë… ose, së fundmi, një sufllaqe.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

