Nga Redaksia – Qytetarët shqiptarë dhe miliona udhëtarë të tjerë që udhëtojnë pa vizë drejt vendeve të Bashkimit Europian nuk do të kenë ende detyrimin për të aplikuar për autorizimin elektronik ETIAS. Sipas mediave ndërkombëtare, Bashkimi Europian pritet ta shtyjë edhe një herë hyrjen në fuqi të këtij sistemi.
Lajmi është publikuar nga prestigjiozja britanike Financial Times, e cila raporton se vendimi për shtyrjen e ETIAS pritet të zyrtarizohet në javët në vijim. Fillimisht, sistemi ishte planifikuar të hynte në fuqi gjatë këtij viti, por autoritetet europiane kanë vendosur ta shtyjnë zbatimin për vitin e ardhshëm.
ETIAS (European Travel Information and Authorisation System) do të prekë të gjithë shtetasit e vendeve që aktualisht udhëtojnë pa vizë në zonën Shengen, përfshirë edhe qytetarët shqiptarë. Pasi sistemi të hyjë në fuqi, çdo udhëtar do të duhet të aplikojë online dhe të marrë një autorizim përpara se të nisë udhëtimin drejt Bashkimit Europian.
Sipas planit, aplikimi do të kushtojë 20 euro dhe do të përfshijë verifikime të sigurisë përpara dhënies së lejes së udhëtimit. Sistemi do të zbatohet për rreth 1.4 miliardë udhëtarë nga vende që nuk kanë nevojë për vizë, përfshirë edhe shtetasit e Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Arsyeja kryesore e shtyrjes lidhet me vonesat në zbatimin e një sistemi tjetër elektronik të Bashkimit Europian, EES (Entry/Exit System), i cili regjistron hyrjet dhe daljet e shtetasve jashtë BE-së.
Ky sistem kërkon skanimin e gjurmëve të gishtërinjve dhe të fytyrës në pikat kufitare. Testimet e deritanishme kanë nxjerrë në pah probleme teknike, vonesa në kalimet kufitare dhe radhë të gjata në aeroporte e pika tokësore, duke detyruar autoritetet europiane të rishikojnë kalendarin e zbatimit.
Për qytetarët shqiptarë, shtyrja e ETIAS do të thotë se edhe për një periudhë të paktën deri vitin e ardhshëm do të vazhdojnë të udhëtojnë drejt vendeve të zonës Shengen me të njëjtat procedura aktuale, pa pasur nevojë për autorizimin elektronik që do të bëhet i detyrueshëm vetëm pas hyrjes zyrtare në fuqi të sistemit.
Autoritetet e Bashkimit Europian pritet të publikojnë së shpejti datën e re të zbatimit të ETIAS, ndërsa udhëtarët këshillohen të ndjekin njoftimet zyrtare për çdo ndryshim të procedurave të udhëtimit drejt vendeve të BE-së.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

