AKSHI pas skandalit, dyshimet për një monopol të ri IT-je: Kurz dhe krijuesi i Pegasus-it në fokus …

Nga Redaksia – Pas skandalit të AKSHI-t, qeveria po ndryshon modelin e administrimit të sistemeve digjitale shtetërore. Por kalimi drejt një shoqërie aksionere, ku privatët mund të zotërojnë deri në 49% të aksioneve, ngre pikëpyetje për transparencën, sigurinë e të dhënave dhe personat që mund të përfitojnë nga ky model.

Skandalit korruptiv në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), çoi në masa sigurie ndaj ish-drejtueses Mirlinda Karçanaj dhe një numri biznesmenësh, qeveria po përgatit një model të ri për administrimin dhe zhvillimin e sistemeve teknologjike shtetërore.

Por kjo zgjidhje, e paraqitur si reformë e sektorit të teknologjisë së informacionit, po ngre pikëpyetje të forta. Kalimi i kompetencave për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve digjitale, përfshirë ato që lidhen me informacionin sekret shtetëror, drejt një shoqërie aksionere ku privati mund të zotërojë deri në 49% të aksioneve, shihet si një rrezik për krijimin e një monopoli të ri në sektorin e IT-së.

Kush do të jetë partneri privat që mund të marrë pjesë në administrimin e infrastrukturës më të rëndësishme digjitale të shtetit shqiptar?

Shalev Hulio, krijuesi i Pegasus-it, dhe Sebastian Kurz

Në qarqet politike dhe të biznesit në Tiranë po qarkullojnë emrat e dy personazheve të njohur ndërkombëtarisht: ish-kancelarit austriak Sebastian Kurz dhe sipërmarrësit izraelit Shalev Hulio.

Hulio është bashkëthemelues dhe ish-drejtues i NSO Group, kompania izraelite e njohur për krijimin e programit Pegasus, një sistem përgjimi që është përfshirë në skandale ndërkombëtare për përdorimin e tij kundër gazetarëve, aktivistëve, politikanëve dhe personave të tjerë.

NSO Group u përfshi në listën e zezë të qeverisë amerikane për shkak të shqetësimeve lidhur me aktivitetin e saj dhe rreziqet që paraqiste për sigurinë kombëtare.

Pas largimit nga NSO Group, Hulio u përfshi në një tjetër projekt të sigurisë kibernetike, duke themeluar Dream Security. Në këtë kompani ai është i lidhur me ish-kancelarin austriak Sebastian Kurz, i cili është bërë një nga emrat kryesorë në këtë sipërmarrje.

Kurz u largua nga politika austriake mes hetimeve për dyshime mbi korrupsionin dhe përdorimin e fondeve publike. Prokuroria në Vjenë hetoi dyshimet se para publike ishin përdorur për sondazhe të manipuluara dhe publikime mediatike në favor të tij. Këto pretendime u bënë pjesë e një çështjeje që tronditi politikën austriake.

Dream Security operon në fushën e sigurisë kibernetike, duke përdorur teknologji të inteligjencës artificiale për mbrojtjen e sistemeve dhe infrastrukturës digjitale, ndërsa synon zgjerimin e bashkëpunimit me qeveritë dhe institucionet shtetërore.

Lidhjet me Shqipërinë dhe komunikimet e zbuluara në dosjet e AKSHI-t

Sipas raportimeve, ndonëse Dream Security nuk rezulton të ketë një prani zyrtare të regjistruar në Shqipëri, emrat e Kurz dhe Hulio përmenden në kontekstin e interesave dhe kontakteve me qarqet e pushtetit në Tiranë.

Sebastian Kurz ka pasur marrëdhënie të afërta me kryeministrin Edi Rama dhe është përfshirë në takime me të në Shqipëri, përfshirë takime private.

Ndërkohë, emri i Shalev Hulios ka dalë edhe në komunikimet e përfshira në dosjet hetimore të AKSHI-t dhe SHISH. Sipas materialeve të përmendura në raportime, SPAK ka zbardhur komunikime të Ergys Agasit me një kontakt të regjistruar në telefonin e tij me emrin “Shalev Israel”.

Ky detaj ngre pikëpyetje mbi lidhjet dhe kontaktet mes personazheve të sektorit ndërkombëtar të sigurisë kibernetike dhe aktorëve që kanë pasur marrëdhënie me sektorin e teknologjisë së informacionit në Shqipëri.

Megjithatë, këto komunikime, në vetvete, nuk përbëjnë provë se Dream Security është përzgjedhur si partner i qeverisë shqiptare.

Një model i ri që rrezikon të mbyllë garën dhe transparencën

Ndërsa skema e mëparshme e prokurimeve të AKSHI-t është vënë nën lupën e hetimeve, modeli i ri i propozuar për administrimin e sistemeve digjitale shtetërore po ngre shqetësime për mënyrën se si do të funksionojë në praktikë.

Kalimi drejt një shoqërie aksionere, ku partneri privat mund të zotërojë deri në 49% të aksioneve, shihet si një ndryshim i rëndësishëm në mënyrën e administrimit të infrastrukturës teknologjike të shtetit.

Kritikët e kësaj skeme paralajmërojnë se një strukturë e tillë mund të krijojë një monopol të ri, duke i dhënë një operatori privat akses dhe ndikim të drejtpërdrejtë në sisteme që deri më tani kanë qenë nën administrimin shtetëror.

Pikëpyetjet shtohen edhe nga një projektligj me dy nene, i depozituar në Kuvend nga deputetja socialiste Briseida Çakërri, për ndryshimin e ligjit për Qeverisjen Elektronike.

Nisma synon ndryshime në procedurat e blerjes së softuerëve, licencave dhe shërbimeve të mirëmbajtjes së sistemeve, duke krijuar mundësi për procedura të drejtpërdrejta prokurimi në sektorin e teknologjisë së informacionit.

Nëse këto ndryshime zbatohen pa mekanizma të fortë kontrolli dhe transparence, ekziston rreziku që kontrata me vlera të mëdha të realizohen pa konkurrencën e zakonshme të prokurimit publik, duke lënë hapësirë për vendimmarrje të kufizuar dhe kontroll të dobët mbi shpenzimet.

Sekreti shtetëror si mburojë ndaj transparencës?

Një tjetër shqetësim lidhet me natyrën e sistemeve që do të administrohen. Kur bëhet fjalë për infrastrukturë kritike, të dhëna sensitive dhe sisteme që lidhen me sigurinë kombëtare, klauzolat e konfidencialitetit mund të kufizojnë ndjeshëm informacionin që bëhet publik.

Siguria kibernetike është një domosdoshmëri për çdo shtet, por ajo nuk duhet të shndërrohet në një mekanizëm që përjashton kontrollin mbi kontratat, shpenzimet dhe mënyrën se si përzgjidhen partnerët privatë.

Pas skandalit të AKSHI-t, shqiptarët presin më shumë transparencë, kontroll dhe garanci se të dhënat e tyre nuk do të bëhen pjesë e interesave të ngushta politike apo ekonomike.

Në vend që të mbyllë pikëpyetjet e ngritura nga skandali i mëparshëm, modeli i ri rrezikon të hapë një kapitull tjetër, ku infrastruktura digjitale e shtetit, kontratat milionëshe dhe kontrolli mbi të dhënat mund të përqendrohen në duart e një grupi të kufizuar aktorësh.

Kush do të kontrollojë sistemet? Kush do të përfitojë nga kontratat? Dhe mbi të gjitha, kush do të mbajë përgjegjësi nëse të dhënat dhe infrastruktura kritike e Shqipërisë përfundojnë jashtë kontrollit real të shtetit? /Kapital

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top