FAKTE: Brenda 1 viti Rama veproi pa zhurmë me Izraelin – Forcon partneritetin në bujqësi, nga kooperativat tek teknologjia dhe inteligjenca artificiale …

Nga Redaksia –

Partneriteti mes Shqipërisë dhe Izraelit në sektorin e bujqësisë po hyn në një fazë të re zhvillimi. Pas nismës për mbështetjen e kooperativave bujqësore sipas modelit izraelit, dy vendet kanë hedhur një tjetër hap të rëndësishëm me nënshkrimin e një Memorandumi Mirëkuptimi për teknologjinë dhe inovacionin në bujqësi.

Më 9 mars 2025, përfaqësues të Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH), Ambasadës së Izraelit dhe Dhomës së Tregtisë Shqipëri–Izrael zhvilluan një takim në Tiranë, ku u diskutua zgjerimi i bashkëpunimit në fushën e agrobiznesit dhe krijimi i kooperativave moderne bujqësore sipas përvojës izraelite.

Në atë kohë u theksua se modeli izraelit mund të shërbejë si një shembull i suksesshëm për organizimin e fermerëve shqiptarë, rritjen e produktivitetit dhe përdorimin e teknologjive bashkëkohore në bujqësi. Gjithashtu u hodh ideja e binjakëzimit të kooperativave shqiptare me ato izraelite, me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe zbatimin e praktikave më të mira.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë Shqipëri–Izrael, Ilir Kokeri, vlerësoi iniciativën duke theksuar se format moderne të organizimit, menaxhimit dhe përdorimit të teknologjive të avancuara janë elementë kyç për zhvillimin e një bujqësie konkurruese dhe fitimprurëse. Aktualisht, në Shqipëri funksionojnë rreth 60 kooperativa bujqësore, të cilat konsiderohen si një mundësi për rritjen e eficiencës dhe të ardhurave të fermerëve.

Një vit më vonë, më 1 qershor 2026, ky bashkëpunim u konkretizua me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit mes Shqipërisë dhe Izraelit për teknologjinë dhe inovacionin në sektorin bujqësor.

Marrëveshja synon transferimin e eksperiencës izraelite në fusha si teknologjitë inteligjente, menaxhimi i ujit, siguria ushqimore, prodhimi modern dhe përdorimi i zgjidhjeve inovative për të përballuar sfidat që sjellin ndryshimet klimatike.

Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, deklaroi se Shqipëria ka potencial të madh falë produkteve organike dhe fuqisë punëtore të përkushtuar, por theksoi se zhvillimi i mëtejshëm i sektorit kërkon partneritete strategjike, investime dhe teknologji moderne.

Sipas saj, në një kohë kur bota përballet me ndryshimet klimatike, pasigurinë gjeopolitike dhe sfidat e zinxhirëve të furnizimit, bujqësia nuk është vetëm një aktivitet ekonomik, por një sektor me rëndësi strategjike për sigurinë ushqimore.

Edhe zëvendësministri i Bujqësisë, Fatmir Guri, u shpreh se Shqipëria ka nevojë të përfitojë nga modeli izraelit, duke theksuar se fermerët shqiptarë duhet të pajisen me njohuritë dhe standardet që kërkon tregu europian.

Ai nënvizoi se Izraeli ka dëshmuar se suksesi në bujqësi nuk varet nga bollëku i burimeve natyrore, por nga përdorimi inteligjent i tyre, inovacioni dhe standardizimi i prodhimit.

Në konferencë morën pjesë edhe 12 kompani izraelite të specializuara në teknologjinë bujqësore dhe sigurinë ushqimore, të cilat prezantuan zgjidhje moderne për fermerët dhe bizneset shqiptare.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë së Izraelit, Oren Lavi, theksoi se bujqësia e së ardhmes do të mbështetet gjithnjë e më shumë në teknologji, kërkim shkencor dhe Inteligjencë Artificiale.

Sipas tij, ndërsa popullsia e botës pritet të arrijë në rreth 9 miliardë banorë deri në vitin 2050, sfida më e madhe do të jetë prodhimi i mjaftueshëm i ushqimit në mënyrë të qëndrueshme. Për këtë arsye, fermerët e së ardhmes nuk do të mbështeten vetëm te toka, por edhe te teknologjitë inteligjente që rrisin produktivitetin dhe mbrojnë burimet natyrore.

Partneriteti mes Shqipërisë dhe Izraelit pritet të kontribuojë në modernizimin e bujqësisë shqiptare, rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve vendase dhe përgatitjen e sektorit për standardet e Bashkimit Europian, duke krijuar një model të ri zhvillimi të bazuar te inovacioni, teknologjia dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.

Shënim: Këto informacione janë bazuar në shkrimet e publikuara nga Shqiptarja.com e Carlo Bolinos dhe nga Top Channel.

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top