Edi Rama dhe Ben Aliu i Tunizisë: Dy modele pushteti nën hijen e autoritarizmit …

Nga Olsi Jazexhi:

Një krahasim mes Shqipërisë së Edi Ramës dhe Tunizisë së Zine El Abidine Ben Aliut nxjerr në pah disa ngjashmëri të forta në mënyrën e funksionimit të pushtetit, marrëdhënien me Perëndimin, përqendrimin e ekonomisë dhe pakënaqësitë sociale.

Kur flitet për regjime të gjata politike, shpesh ngrihet pyetja: kur një qeveri kalon kufirin mes qeverisjes së fortë dhe përqendrimit autoritar të pushtetit?

Rasti i Tunizisë së Ben Aliut dhe Shqipërisë së Edi Ramës janë vendosur shpesh në qendër të debateve të ndryshme politike, për shkak të disa zhvillimeve që ngjajnë: pushtet i zgjatur, ndikim i madh i elitave ekonomike, kritika për kontrollin e institucioneve dhe pakënaqësi të shtresave të gjera të shoqërisë.

Postimi i plotë:

Edi Rama është sikur Ben Aliu i Tunizisë

Një krahasim midis sundimit të Edi Ramës në Shqipëri dhe Zine El Abidine Ben Aliut në Tunizi na jep shumë ngjashmëri. Që të dy ishin sundimtarë autokratë. Zagare të Perëndimit, që Perëndimi i mbajti në pushtet sepse i duheshin për të shtypur popullatat vendase.

Shqipëria me Tunizinë ka shumë ngjashmëri. Janë që të dyja vende me shumicë myslimane, që shtrihen në Detin Adriatik dhe Mesdhe. Kanë qenë pjesë të Perandorisë Osmane dhe më pas u kthyen në koloni të Francës dhe Italisë. Me popullata jo arabe. Në Tunizi shumica e popullsisë është berbere, ndërsa në Shqipëri shqiptare.

Ashtu sikur Shqipëria, që ka turizmin sektorin kryesor të të ardhurave në valutë, edhe Tunizia pati turizmin. Ashtu sikur në Shqipëri, ku turizmi po kontrollohet nga oligarkët, të cilët ndërtojnë hotele dhe resorte, edhe Tunizia kishte të njëjtin model ekonomik.

Por Tunizia, sikur Shqipëria, ka probleme me:

  • papunësinë e lartë të të rinjve;
  • një klasë të pasur oligarkike që kontrollon pasuritë dhe një popull shumë të varfër;
  • korrupsionin dhe nepotizmin;
  • përqendrimin e pasurisë te klani i Ben Aliut – apo, në rastin e Shqipërisë, te klani i Edi Ramës;
  • luftën e qeverisë ndaj bizneseve që nuk kanë lidhje me borgjezinë në pushtet;
  • largimin masiv të popullsisë tuniziane drejt Perëndimit.

Ja edhe disa ngjashmëri të tjera:

1. Sundimi me dorë të hekurt dhe shkatërrimi i demokracisë

Ben Aliu drejtoi një regjim autoritar të konsoliduar për 23 vjet (1987–2011). Erdhi në pushtet me ndihmën e Francës, pasi rrëzoi nga pushteti Habib Bourguibën.

Edi Rama erdhi në pushtet me ndihmën e Francës, SHBA-së dhe Sorosit. Fillimisht iu imponua Fatos Nanos si kryebashkiak i Tiranës dhe, pas vitit 2005, pasi i mori pushtetin Nanos me ndihmën e MJAFT-it dhe Sorosit, erdhi në pushtet në vitin 2013, ku sundon deri tani, prej 13 vitesh.

Sikur Ben Aliu, që shkatërroi demokracinë dhe vendosi një regjim autoritar, edhe Rama ka shkatërruar demokracinë dhe ka vendosur një regjim autoritar.

Në Tunizi pushtetin e kishte partia e Ben Aliut, RCD (Rassemblement Constitutionnel Démocratique – Asambleja Kushtetuese Demokratike).

Në Shqipëri pushtetin e ka Partia Socialiste.

Në Tunizi manipuloheshin zgjedhjet. Në Shqipëri manipulohen zgjedhjet.

Në Tunizi media censurohej. Në Shqipëri media është blerë dhe censurohet.

Në Tunizi gjyqësori ishte nën kontrollin e Ben Aliut. Në Shqipëri gjyqësori është nën kontrollin e Edi Ramës.

Në Tunizi protestat ndaloheshin me forcë. Në Shqipëri protestat kontrollohen me antiterrorin dhe agjenturën, ndërsa protestuesit rrihen, arrestohen dhe ndalohen.

2. Korrupsioni

Korrupsioni në Tunizi ishte i lidhur me familjen Trabelsi, klanin e gruas së Ben Aliut.

Në Shqipëri korrupsioni është i lidhur me Edi Ramën, Linda Ramën, Belinda Ballukun dhe borgjezinë përreth Partisë Socialiste.

3. Zgjedhjet

Në Tunizi zgjedhjet vidheshin.

Në Shqipëri zgjedhjet vidhen.

4. Zagare të Perëndimit dhe zionizmit

Marrëdhëniet e Ben Aliut dhe Edi Ramës me SHBA-në dhe Evropën kanë disa ngjashmëri në orientimin pro SHBA-së, Francës dhe Izraelit.

SHBA-ja e konsideronte Ben Aliun aleat të rëndësishëm, sidomos në luftën kundër terrorizmit pas vitit 2001.

SHBA-ja e konsideron Ramën aleat të ngushtë, anëtar të NATO-s dhe partner në politikën e jashtme.

Franca dhe BE-ja e konsideronin Ben Aliun dhe Tunizinë partner të privilegjuar për stabilitetin dhe kontrollin e migracionit.

Franca dhe BE-ja e konsiderojnë Edi Ramën partner me prioritet strategjik dhe drejtues të një vendi kandidat për anëtarësim në BE.

5. Pse Perëndimi mbështeste Ben Aliun dhe Edi Ramën?

Në Tunizi, Ben Aliu shihej si faktor stabiliteti rajonal dhe luftonte kundër islamizmit dhe emigracionit nga Afrika drejt Evropës.

Në Shqipëri, Edi Rama shihet si faktor bashkëpunimi në siguri, luftën kundër emigracionit, Islamit dhe Iranit.

6. Një ngjashmëri e rëndësishme: lufta kundër Islamit dhe nacionalizmit

Të dy liderët e kanë paraqitur veten si faktorë stabiliteti në luftën kundër Islamit.

Ben Aliu e paraqiste regjimin e tij si pengesë ndaj islamizmit, nacionalizmit arab dhe sfidës që vende si Libia, Algjeria dhe Egjipti i sillnin hegjemonisë zioniste.

Edi Rama e paraqet regjimin e tij si faktor stabiliteti në Ballkan, anti-kombëtarist, partner të zellshëm të NATO-s dhe BE-së, si dhe shërbëtor të bindur të Izraelit. Rama e ka shfaqur veten të zellshëm në armiqësinë kundër islamizmit, nacionalizmit klasik shqiptar, lëvizjeve çlirimtare pro Palestinës dhe Iranit. Shqipëria strehon muxhahedinët iranianë dhe u ka dhënë sektorë strategjikë Izraelit, duke përfshirë ekonominë, mbrojtjen etj.

7. Të dy sundimtarët urreheshin nga populli

Ben Aliu u rrëzua nga pushteti gjatë Pranverës Arabe në vitin 2011, pasi administrata Obama i ndihmoi tunizianët të rrëzonin diktatorin.

Edi Rama nuk po rrëzohet nga pushteti me protestat e vitit 2026, pasi amerikanët nuk i ndihmojnë shqiptarët.

8. Protestat popullore

Protestat popullore në Tunizi nisën pasi Tarek al-Tayeb Mohamed Bouazizi, një shitës frutash dhe perimesh, u sulmua nga policia bashkiake e qytetit Sidi Bouzid, e cila i rrëmbeu tezgën me perime që ai shiste. Nga dëshpërimi dhe varfëria, Bouazizi i vuri flakën vetes.

Ndërsa në Shqipëri, regjimi Rama–Veliaj ka sulmuar biznese dhe e ka lënë popullin në varfëri. Protesta popullore që nisi më 30 maj 2026 filloi pasi një grup qytetarësh protestuan kundër marrjes së plazhit të Zvërnecit nga kompania e Jared Kushnerit dhe pasi policia private e Kushnerit sulmoi qytetarët.

Por, si në rastin e Tunizisë ashtu edhe të Shqipërisë, kemi të bëjmë me dy raste shumë të ngjashme: popuj me shumicë myslimane që sundohen nga autokratë, të cilët Perëndimi i mban në pushtet. Populli në të dy rastet proteston kundër varfërisë, shtypjes, dhunës dhe heqjes së shpresës për të ardhmen.

Të dy popujt shohin se si borgjezia vendase vjedh pronat publike në bashkëpunim me borgjezinë perëndimore. Dhe të dy popujt, si shqiptarët ashtu edhe tunizianët, arratisen nga vendet e tyre dhe përfundojnë si refugjatë rrugëve të Evropës.

Por tunizianët e çliruan veten gjatë Pranverës Arabe. Shqiptarët, akoma!

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top