Nga Redaksia – Publikimi i një akti normativ të Këshillit të Ministrave ka ndezur debat në opinionin publik, pasi dokumenti parashikon financimin e pjesshëm të koncertit të artistit ndërkombëtar Kanye West (YE) me një fond prej 400 milionë lekësh.
Sipas dokumentit, fondi do të përdoret për organizimin dhe mbarëvajtjen e aktivitetit kulturor-turistik, me argumentin se eventi do të ndikojë në promovimin e turizmit dhe imazhit të Shqipërisë. Koncerti është planifikuar të zhvillohet në Tiranë më 11 korrik 2026.
Reagimet nuk kanë munguar. Analisti Dritan Kaba e ka cilësuar vendimin si një “skandal”, duke argumentuar se fondet publike duhet të përdoreshin për prioritete më urgjente si shëndetësia dhe infrastruktura.
Në reagimin e tij, Kaba shprehet se 5 milionë dollarë për një koncert janë një shpenzim i pajustifikueshëm dhe u bën thirrje deputetëve ta votojnë kundër aktin normativ.

“Nëse deputetët kanë një fije mend në kokë duhet të votojnë të gjithë kundër.”
Ai kritikon gjithashtu figurën e Kanye West, duke iu referuar deklaratave të tij të debatueshme në arenën ndërkombëtare, ndërsa shprehet se edhe shtete me mundësi të mëdha financiare nuk do të duhej të shpenzonin një shumë të tillë për një artist kaq polemizues.
Sipas Kabës, këto para mund të përdoreshin për nevoja shumë më të rëndësishme për qytetarët shqiptarë. Ai ngre pyetjen se sa fëmijë me leuçemi do të mund të merrnin trajtimin e nevojshëm, sa pacientë me kancer do të përfitonin një mjekim më dinjitoz, apo se si me këtë fond mund të investohej në përmirësimin e spitaleve publike, duke përmendur si shembull Spitalin e Lushnjës.
Në fund të reagimit të tij, Kaba kritikon edhe ministrat që kanë miratuar aktin normativ, duke e cilësuar vendimin të papërgjegjshëm dhe në kundërshtim me interesin publik.
Debati mbi financimin e koncertit të Kanye West pritet të vijojë edhe në politikë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse akti normativ do të marrë miratimin përfundimtar apo do të përballet me kundërshtime në Parlament.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

