Nga Redaksia –Momente tensioni dhe përplasje janë regjistruar gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë, ku protestuesit kanë arritur të çajnë gardhin metalik dhe kordonin e policisë për t’u drejtuar më pas drejt godinës së Kryeministrisë.
Pamjet e transmetuara nga vendngjarja tregojnë një situatë të agravuar mes qytetarëve protestues dhe forcave të rendit, ku për disa minuta u krijua tension i fortë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Protestuesit shtynë barrierat metalike dhe depërtuan përmes rrethimit policor, ndërsa forcat e policisë u përpoqën fillimisht të ndalonin marshimin e tyre.
Megjithatë, pas përplasjes dhe tensioneve të krijuara, policia u tërhoq nga kordoni fillestar duke lejuar protestuesit të avancojnë dhe të pozicionohen përballë Kryeministrisë.
Në protestë janë dëgjuar thirrje kundër qeverisë dhe kërkesa për dorëheqje, ndërsa qytetarët shprehën revoltën e tyre për situatën politike dhe sociale në vend. Prania e madhe e forcave policore dhe gardheve metalike në zemër të kryeqytetit ka rritur edhe më shumë tensionin mes protestuesve dhe autoriteteve.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa qytetarë të shumtë vijojnë të qëndrojnë përballë godinës së Kryeministrisë nën masa të forta sigurie.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
