Nga Redaksia – Tirana është kthyer sot në një zonë të rrethuar nga forca të shumta policore, pasi qeveria e drejtuar nga Edi Rama ka urdhëruar bllokimin e Sheshit Skënderbej me gardhe metalike dhe vendosjen e një pranie masive të policisë në zemër të kryeqytetit.
Sipas informacioneve nga terreni, mbi 1300 efektivë policie ndodhen në gatishmëri të plotë përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke krijuar një kordon të fortë sigurie përballë godinës së Kryeministrisë. Qytetarë të shumtë e kanë konsideruar këtë veprim si një përpjekje për të penguar dhe frikësuar protestuesit paqësorë që kanë dalë në mbrojtje të interesave kombëtare dhe kundër politikave të qeverisë.
Gardhet metalike të vendosura në hyrjet kryesore të sheshit dhe përgjatë bulevardit kanë krijuar tension dhe irritim tek qytetarët, të cilët shprehen se Tirana po trajtohet si një qytet nën shtetrrethim. Për shumë protestues, pamjet e forcave të shumta speciale dhe automjeteve policore përballë qytetarëve të paarmatosur përbëjnë një provokim të hapur dhe një tentativë për të ushtruar presion psikologjik ndaj pjesëmarrësve në protestë.
Ndërkohë, organizatorët e protestës kanë deklaruar se tubimi do të vijojë në mënyrë paqësore dhe se qytetarët nuk duhet të bien pre e provokimeve. Ata akuzojnë qeverinë se po përdor policinë për të mbrojtur pushtetin politik në vend që të garantojë të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të protestuar lirshëm.
Në rrjetet sociale janë publikuar pamje nga blindimi i zonës qendrore të Tiranës, ku shihet prania e madhe e efektivëve, gardheve metalike dhe kontrolleve të shtuara. Qytetarët pyesin me shqetësim se përse një protestë paqësore duhet të përballet me një mobilizim kaq të madh policor, sikur vendi të ishte në gjendje emergjence.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa sytë e publikut janë kthyer drejt zhvillimeve që pritet të ndodhin përballë Kryeministrisë në orët në vijim.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
