Nga Redaksia – Një incident i rëndë me armë ka tronditur Uashingtonin pranë White House, ku sipas mediave amerikane një person ka mbetur i vrarë pas një shkëmbimi zjarri me agjentët e Shërbimit Sekret amerikan.
Ngjarja ndodhi në një pikë kontrolli sigurie pranë rezidencës presidenciale, ku një person i armatosur raportohet se hapi zjarr ndaj oficerëve të sigurisë. Agjentët e Shërbimit Sekret iu kundërpërgjigjën menjëherë sulmit dhe e qëlluan agresorin, i cili më pas u transportua në spital, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
Sipas raportimeve paraprake, i dyshuari ishte një 21-vjeçar nga shteti i Maryland, i cili kishte histori problemesh të shëndetit mendor dhe më parë kishte pasur përplasje me autoritetet federale.
Dëshmitarët okularë kanë folur për “dhjetëra të shtëna” që krijuan panik në zonën përreth Shtëpisë së Bardhë. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, raportohet se edhe një kalimtar i rastit është plagosur, megjithëse autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje për gjendjen e tij shëndetësore.
Në momentin e incidentit, Presidenti Donald Trump ndodhej brenda Shtëpisë së Bardhë dhe u rrethua menjëherë nga masa të shumta sigurie.
Drejtori i komunikimit të Shërbimit Sekret, Anthony Guglielmi, deklaroi se presidenti nuk është lënduar dhe ndodhet në siguri të plotë.
Pas incidentit, republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve reaguan me një deklaratë publike:
Ngjarja rikthen edhe një herë vëmendjen tek tensionet e forta politike dhe çështjet e sigurisë në SHBA, sidomos pasi Trump ka qenë disa herë objekt kërcënimesh dhe atentatesh gjatë viteve të fundit.
Vetëm një muaj më parë, më 25 prill, një tjetër incident me të shtëna ndodhi në Uashington pranë aktivitetit tradicional të Darkës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, ku ishte i pranishëm edhe Trump.
Ndërkohë, në dy vitet e fundit, presidenti amerikan i ka shpëtuar edhe dy atentateve të tjera të raportuara: një në Pensilvani në korrik 2024 dhe një tjetër në Florida në shtator 2024.
Autoritetet federale kanë nisur hetimet për të zbuluar motivin e sulmit të fundit, ndërsa siguria rreth Shtëpisë së Bardhë është forcuar maksimalisht.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
