Nga Redaksia – Në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare të 7 qershorit në Kosovë, qeveria në detyrë e drejtuar nga Albin Kurti ka ndezur debat të fortë politik pas vendimit për të shpërndarë ndihma financiare për disa kategori qytetarësh, një lëvizje që shumë analistë po e krahasojnë me praktikat elektorale të përdorura prej vitesh nga Edi Rama në Shqipëri.
Qeveria e Kosovës prezantoi të ashtuquajturën “Pako për përballje me inflacionin 2.0”, e cila sipas Kurtit nuk arriti të kalonte në Kuvend për shkak të bllokimit nga opozita. Megjithatë, ekzekutivi vendosi të ecë përpara me shpërndarjen e ndihmave financiare për qytetarët, pikërisht në momentin kur fushata zgjedhore po hyn në fazën më intensive dhe diaspora ka nisur tashmë votimin.
Sipas vendimit të bërë publik nga qeveria, pensionistët, studentët aktivë, fëmijët dhe punëtorët e sektorit privat do të përfitojnë nga 100 euro ndihmë të njëhershme. Ndërkohë është njoftuar edhe rritja e mbështetjes për lehonat, ku pagesa mujore do të rritet nga 325 në 500 euro.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, deklaroi se përfitues të ndihmës për sektorin privat do të jenë punëtorët me paga nën 1.000 euro.
Por ky vendim ka shkaktuar reagime të shumta në Prishtinë dhe më gjerë. Kundërshtarët politikë e konsiderojnë këtë një përpjekje të pastër elektorale për të blerë mbështetje pak ditë para zgjedhjeve, duke përdorur fondet publike për interesa politike.
Kritikët kujtojnë se një skemë e ngjashme u përdor edhe në prag të zgjedhjeve të dhjetorit 2025, kur qeveria Kurti shpërndau ndihma financiare për kategori të ndryshme sociale. Për shumë qytetarë, kjo po shihet si një strategji e njohur ballkanike: shpërndarje parash dhe “bonusësh” pak para ditës së votimit.
Paralelizmi me Shqipërinë është i pashmangshëm. Prej vitesh, qeveria e Edi Rama është akuzuar nga opozita për përdorim të ndihmave sociale, bonuseve të pensionistëve dhe rritjeve të pagave si instrument elektoral në prag zgjedhjesh. Tashmë, sipas kritikëve në Kosovë, edhe qeveria e Albin Kurti po ndjek të njëjtin model politik.
Ndërsa qytetarët përballen me rritjen e çmimeve dhe krizën ekonomike, shumëkush pyet nëse këto ndihma janë vërtet mbështetje sociale apo investim politik për vota.
Zgjedhjet e 7 qershorit pritet të tregojnë nëse kjo strategji do t’i sjellë përfitime elektorale qeverisë në detyrë, apo nëse qytetarët do ta shohin si një tjetër përpjekje për manipulim përmes “dhuratave” financiare para kutive të votimit.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
