Nga Redaksia – Sipas disa deklaratave të raportuara nga autoritetet amerikane, administrata e Presidentit Donald Trump ka pezulluar përkohësisht një paketë armësh me vlerë rreth 14 miliardë dollarë të destinuara për Tajvanin.
Zëvendës Sekretari i Marinës, Hung Chao, deklaroi se vendimi lidhet me nevojën për të ruajtur rezervat e municioneve amerikane, në një kohë kur SHBA përballet me angazhime ushtarake të rritura në Lindjen e Mesme.
Sipas tij, aktualisht është vendosur një “pauzë teknike” për të siguruar furnizimet e brendshme ushtarake:
“Për momentin po bëjmë një pauzë për t’u siguruar që kemi municionet që na nevojiten për ‘Epic Fury’. Ne kemi ende sasi të mjaftueshme, por po verifikojmë gjithçka. Shitjet ushtarake do të vazhdojnë kur administrata ta gjykojë të nevojshme.”
Ky vendim ka hapur debat në qarqet politike dhe ushtarake mbi prioritetet strategjike të Uashingtonit, sidomos në raport me tensionet në rritje në Azi-Paqësor dhe marrëdhëniet me Kinën.
Nëse Uashingtoni do të tërhiqej nga mbështetja për Tajvanin, kjo do të konsiderohej një nga kthesat më të mëdha strategjike të dekadës. Tajvani nuk është vetëm një ishull i kontestuar, por një nyje kyçe e teknologjisë globale dhe e balancës ushtarake në Azi.
Një vendim i tillë do të:
- dobësonte ndjeshëm besueshmërinë e SHBA-së si garant i aleancave ndërkombëtare;
- ndryshonte ekuilibrin ushtarak në Paqësor në favor të Pekinit;
- krijonte pasiguri të thellë në Japoni, Korenë e Jugut dhe Filipine.
Politika amerikane ndaj Tajvanit ka qenë historikisht e ndërtuar mbi të ashtuquajturën “paqartësi strategjike”: SHBA nuk e njeh zyrtarisht Tajvanin si shtet të pavarur, por njëkohësisht nuk pranon ndryshimin e statusit të tij me forcë.
Në këtë kontekst, çdo ndryshim qoftë edhe në furnizimet ushtarake interpretohet shpesh si sinjal politik, edhe kur në realitet mund të lidhet me arsye logjistike apo stokun e municioneve.
Në sfond qëndron gjithmonë Pekini dhe qëndrimi i tij i pandryshuar se Tajvani është pjesë e territorit kinez. Presidenti Xi Jinping e ka bërë të qartë se “ribashkimi” është një objektiv historik i pandryshueshëm.
Çdo dobësim i mbështetjes amerikane do të shihej nga Kina si një hap i madh drejt realizimit të këtij objektivi.
Megjithatë, në realitetin aktual politik dhe ushtarak, një “dorëzim” i Tajvanit nga SHBA mbetet një skenar hipotetik pa bazë zyrtare. Brenda vetë sistemit amerikan ekzistojnë balanca të forta institucionale – Kongresi, Pentagoni dhe aleancat rajonale – që e bëjnë të vështirë një ndryshim kaq drastik të politikës.
Për momentin, çdo vendim për pauza ose rishikime të shitjeve të armëve duket më shumë si menaxhim i kapaciteteve ushtarake sesa si ndryshim strategjik i kursit global.
Pyetja 1 milion $ “po sikur SHBA të pranonte marrjen e Tajvanit nga Kina?” a mbetet kjo si një skenar teorik apo një realitet i afërt. Sepse vetë fakti që diskutohet tregon se tensionet në Paqësor kanë hyrë në një fazë ku çdo lëvizje interpretohet si sinjal i madh gjeopolitik dhe se Tajvani mbetet një nga pikat më të ndjeshme të përplasjes mes fuqive të mëdha — dhe çdo vendim rreth tij ka jehonë globale.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
