Nga Redaksia – Qeveria shqiptare duket se ka ndërtuar një mekanizëm të ri për të centralizuar të gjithë tregun e Teknologjisë së Informacionit në duart e një strukture të vetme, e cila jo vetëm që do të ketë monopol absolut mbi projektet dixhitale të shtetit, por do të funksionojë edhe jashtë logjikës së garës publike. Emri i saj është “Albanian Digital Solution” (ADS), një shoqëri aksionere publike që praktikisht zëvendëson rolin e AKSHI-t në ndërtimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e sistemeve dixhitale shtetërore.
Por ndryshe nga procedurat normale të prokurimit publik, ku kompanitë konkurrojnë përmes tenderëve, modeli i ri i krijuar nga qeveria i jep ADS-së fuqinë të caktojë vetë kostot, të zgjedhë vetë kompanitë private me të cilat bashkëpunon dhe të kontrollojë praktikisht të gjithë tregun e IT-së në Shqipëri.
Si funksionon skema?
Sipas vendimit të fundit të Këshillit të Ministrave, çdo institucion shtetëror që kërkon ndërtimin e një sistemi të ri dixhital, përmirësimin apo mirëmbajtjen e sistemeve ekzistuese, nuk mund të dalë më direkt në tender publik. Fillimisht duhet t’i drejtohet AKSHI-t.
AKSHI, në bashkëpunim me institucionin kërkues, harton termat e referencës, specifikimet teknike dhe dokumentacionin përkatës. Më pas, gjithë dosja i kalon shoqërisë “Albanian Digital Solution”.
Brenda 10 ditëve ADS vendos nëse e merr apo jo përsipër realizimin e projektit. Nëse përgjigjja është pozitive, atëherë është vetë ADS që përcakton:
- kategorinë e shërbimit,
- nivelin e kompleksitetit,
- koston totale të projektit,
- si dhe marzhin operacional që do të përfitojë.
Pra, nuk kemi më një garë tregu ku kompanitë japin ofertat më të ulëta apo më cilësore. Çmimi përcaktohet nga vetë subjekti që do të marrë paratë publike.
Monopol pa kufij dhe pa konkurrencë
Vendimi e ndan shërbimin në katër kategori dhe katër nivele kompleksiteti. Për secilin nivel ADS ka të drejtë të aplikojë marzhe fitimi që variojnë nga 5 deri në 16 për qind mbi koston totale të projektit.
Në pamje të parë, qeveria përpiqet ta justifikojë këtë model me argumentin se ADS është një shoqëri publike dhe paratë mbeten “brenda shtetit”. Por problemi i vërtetë qëndron tek fakti se ADS mund të kontraktojë kompani private sipas diskrecionit të saj, pa tender dhe pa konkurrencë.
Kjo do të thotë se miliarda lekë të buxhetit të shtetit mund të kalojnë tek kompani private pa asnjë procedurë transparente.

Shembulli i Ministrisë së Financave
Nëse nesër Ministria e Financave kërkon përmirësimin e sistemit elektronik të thesarit, procedura do të funksionojë kështu:
- Ministria i drejtohet AKSHI-t;
- AKSHI harton specifikimet teknike;
- Dosja i kalon ADS-së;
- ADS vendos kategorinë dhe kompleksitetin e projektit;
- ADS cakton vetë çmimin final.
Nëse projekti kushton, për shembull, 2 milionë euro, atëherë ADS mund të zgjedhë një kompani private “partnere” për realizimin e projektit dhe ta paguajë atë sipas marrëveshjeve të brendshme, pa asnjë garë publike.
Pra, tenderi zhduket krejtësisht nga procesi.
Hileja më e madhe: Privatët mund të blejnë 49% të ADS
Pjesa më alarmante e skemës është se aksionet e ADS-së mund të tregtohen dhe deri në 49 për qind e tyre mund të zotërohen nga privatë.
Kjo krijon një situatë të paprecedentë:
Një grup privatësh mund të blejë pothuajse gjysmën e kompanisë që kontrollon të gjithë tregun e Teknologjisë së Informacionit të shtetit shqiptar. Dhe më pas, përmes këtij monopoli, të përfitojë kontrata publike pa tender, pa konkurrencë dhe pa kontroll real.
Në praktikë, kjo ngjan me krijimin e një “xhepi” gjigant financiar, ku futen paratë e taksapaguesve dhe shpërndahen sipas vendimeve të një strukture të mbyllur.
Më keq se AKSHI?
Për vite me radhë AKSHI është akuzuar për centralizim të tepruar, mungesë transparence dhe tendera të diskutueshëm në sektorin e teknologjisë. Por modeli i ri duket edhe më i rrezikshëm.
AKSHI të paktën ishte i detyruar t’i nënshtrohej procedurave të ligjit të prokurimeve publike. Ndërsa ADS, sipas modelit të ri, fiton të drejtën të:
- caktojë vetë çmimet,
- kontrollojë tregun,
- zgjedhë privatët pa tender,
- dhe të administrojë miliarda lekë publike me minimum kontrolli.
Në thelb, kemi krijimin e një monopoli absolut në sektorin dixhital shqiptar.
Një model pa precedent?
Nuk dihet nëse ekziston ndonjë model i ngjashëm në vendet demokratike europiane, ku një shoqëri aksionere me pjesëmarrje private të kontrollojë të gjitha kontratat shtetërore të teknologjisë pa tendera të hapur.
Kritikët e shohin këtë si një mekanizëm të ri për të anashkaluar ligjin e prokurimeve publike dhe për të përqendruar kontrollin financiar në duart e një rrethi të ngushtë interesash.
Në një kohë kur Shqipëria përballet me akuza të vazhdueshme për korrupsion dhe mungesë transparence, krijimi i ADS-së mund të shndërrohet në skandalin më të madh financiar të dekadës në sektorin e teknologjisë së informacionit. /kapitali.al/
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
