Nga Avokati Altin Goxhaj:
Të nderuar kolegë!
Po kandidoj për të larë turpin tim shumëvjeçar. Dhe kush të dojë, të premten mund të lajë edhe turpin e vet dhe të gjithë mund të lajmë turpin tonë.
Sepse ne, avokatët, sot jemi kthyer në profesionin më të poshtëruar në Shqipëri. Dhe askush nuk na e ka fajin përveç vetes!
Sepse kemi kaq vjet që kemi lejuar të përfaqësohemi në mënyrë të turpshme nga kjo Dhomë Avokatie!
Ne kemi misionin të mbrojmë qytetarët dhe të drejtat e tyre, por prej tre dekadash nuk po arrijmë të mbrojmë as veten tonë. Jemi tradhtuar nga përfaqësuesit tanë, duke u bërë gjithnjë e më të dobët, më të pavlerë dhe më të pafuqishëm përballë një sistemi juridik dhe politik që na ka depersonalizuar dhe poshtëruar.
Dekada e fundit ka qenë shkatërrimtare për drejtësinë, për qytetarët dhe mbi të gjitha për ne avokatët. Përfaqësuesit tanë, që ne kemi lejuar të drejtojnë Dhomën e Avokatisë, ose na kanë shitur, ose në rastin më të mirë na kanë braktisur.
Dhoma e Avokatëve ka qenë mbështetëse e Reformës në Drejtësi, ndërkohë që sot çdo avokat e sheh me sytë e vet rezultatin: një sistem i paralizuar, procese të stërzgjatura, hetime problematike dhe gjyqe që mund të zgjasin, në rastin më të mirë, deri në 8 vjet.
Sot avokatët trajtohen si të dyshuar dhe jo si pjesë e sistemit të drejtësisë. U merren edhe mjetet minimale të punës për të ushtruar profesionin e tyre, siç ndodh me telefonin, p.sh. në Gjykatën Administrative të Tiranës, ku kemi ligjet, kalendarët dhe çdo informacion referencial. Nuk po flas për peripecitë në komisariatet e policisë!
Dymbëdhjetë vjet më parë, çdo avokat mund të kontrollonte online çdo proces gjyqësor në Tiranë. Sot, për të siguruar një fjalëkalim për një çështje të vetme, shpesh përballesh me një kalvar burokratik dhe 95% e avokatëve kanë hequr dorë nga përdorimi i vetë sistemit online.
Megjithëse kemi numra telefoni dhe emaile aktive, bredhim nga një gjykatë në tjetrën, nga një qytet në tjetrin, për të mësuar në sportele se gjyqi nuk do të zhvillohet, dhe askush nuk reagon se pse nuk kemi një sistem efektiv online komunikimi me gjykatat!
Harta Gjyqësore shkatërroi punën dhe profesionin e qindra avokatëve, ndërsa Dhoma reagoi kur gjithçka kishte përfunduar.
Sot një avokat që merr praktikantë duhet të përballojë kosto që shumë zyra nuk i përballojnë dot. Rezultati është i qartë: praktikantët mbeten pa praktikë reale dhe ne avokatët pa mbështetjen e tyre.
Policia dhe institucione të tjera të sistemit të drejtësisë na trajtojnë pa dinjitetin profesional që, në fakt, nuk e meritojmë për shkak të indiferencës sonë.
Parlamenti dhe qeveria na konsiderojnë sikur nuk ekzistojmë kur hartojnë dhe miratojnë ligje dhe akte që prekin sistemin dhe punën tonë!
Dhe arsyeja është e thjeshtë: ata e dinë që ne jemi të dobët, sepse kemi lejuar për vite të tëra të na përfaqësojnë njerëz që nuk kanë mbrojtur interesat tona, por vetë sistemin.
Nuk po kandidoj sepse jam i bindur që do të fitoj.
Po kandidoj sepse kam turp të shoh veten në pasqyrë para se të nisem për në gjykatë apo në zyrë. Me çfarë morali do të mbroj qytetarët, kur vetë jam pjesë e një trupe profesionale që nuk po arrin të mbrojë veten?
Ne kemi një forcë të jashtëzakonshme. Një trupë avokatësh e organizuar nga një Dhomë Avokatie mund të detyrojë çdo qeveri dhe çdo sistem të respektojë të drejtat tona dhe të qytetarëve. Ne kemi shumë armë, por mbi të gjitha, në rast refuzimi, kemi një “armë finale” që qeveria e kupton: bojkotin e masave të sigurisë! Dhe ne e dimë pasojën, por edhe rezultatin! Po kush ta bëjë? Këta që na kanë shitur apo, në rastin më të mirë, na kanë braktisur?
Nëse kandidatura ime merr votat për t’u zgjedhur, kjo do të ndodhë vetëm nëse avokatët që mendojnë si unë shohin tek unë një njeri që do të përballet në një betejë pa kompromis me ata që kanë bashkëpunuar me degradimin e profesionit tonë dhe me shkatërrimin e drejtësisë.

Sepse sot nuk është kastruar vetëm profesioni i avokatit. Është shkretuar vetë drejtësia dhe po shpopullohet e gjithë Shqipëria!
Dhe do të vijë një ditë që do të na bëjnë pyetjen shah-mat:
“PO JU AVOKATËT KU ISHIT?!”
Faleminderit.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
