Nga Redaksia – Një imazh sa ironik, aq edhe i dhimbshëm po qarkullon në rrjetet sociale: një tren i ndryshkur, i braktisur në stacionin e Shkodrës, me mbishkrimin “Shkodër–Tiranë 2030”, ndërsa brenda tij shihet një skelet si simbol i pritjes së pafundme. Një metaforë therëse për realitetin e infrastrukturës shqiptare dhe premtimet politike që zvarriten prej dekadash.
Në vendet europiane, hekurudha është simbol zhvillimi, lidhjeje ekonomike dhe modernizimi. Në Shqipëri, ajo është kthyer në simbolin e harresës. Qytetarët e veriut kanë dëgjuar prej vitesh premtime për rikthimin e trenit, modernizimin e linjave dhe lidhjen e qyteteve kryesore me transport dinjitoz. Por realiteti në terren mbetet krejt tjetër: stacione të rrënuara, linja të amortizuara dhe projekte që shtyhen pafund.
Shkodra, një nga qytetet më të rëndësishme historike dhe kulturore të vendit, vazhdon të trajtohet si periferi kur vjen puna te investimet strategjike. Ndërsa miliona euro propagandohen për fasada, koncesione dhe luks për oligarkët, qytetarët ende presin shërbime bazike dhe transport normal.
Imazhi i skeletit në tren nuk është thjesht humor i zi. Ai përfaqëson zhgënjimin e shqiptarëve që kanë pritur për vite të tëra zhvillim real, ndërsa kanë marrë vetëm slogane elektorale dhe afate të reja. “2030” tingëllon më shumë si tallje sesa si plan konkret.
Nëse Shqipëria synon vërtet integrimin europian, atëherë infrastruktura kombëtare nuk mund të mbetet relike e shekullit të kaluar. Përndryshe, qytetarët do vazhdojnë të udhëtojnë mes premtimeve të kalbura, duke pritur në stacione ku koha duket se ka vdekur prej kohësh.

Imazhi është marrë nga Gjergji Thanasi
