Nga Redaksia – Një deklaratë e fortë nga raportuesja speciale e OKB-së për Palestinën, Francesca Albanese, ka rikthyer në qendër të debatit rolin e Izraelit në rajonin e Ballkanit dhe marrëdhëniet e tij strategjike me Greqinë.
Gjatë një prezantimi në Athinë të librit të saj “Kur bota fle: Histori, fjalë dhe plagë të Palestinës”, Albanese hodhi akuza të drejtpërdrejta mbi mënyrën se si Izraeli po ndërton ndikimin e tij në rajon. Sipas saj, nuk është Greqia ajo që ka zgjedhur Izraelin si aleat për sigurinë kombëtare, por përkundrazi, është Izraeli që ka identifikuar Greqinë si një pikë kyçe për të avancuar ambiciet e tij strategjike.
“Ju mendoni se e keni zgjedhur Izraelin për të siguruar paqe nga armiku juaj i përjetshëm. Unë nuk mendoj kështu. Izraeli ju ka zgjedhur ju,” deklaroi ajo, duke nënvizuar se frika dhe pasiguritë rajonale po shfrytëzohen për të ndërtuar një prani më të fortë izraelite në Mesdheun Lindor dhe më gjerë.
Këto deklarata ngrejnë pikëpyetje serioze mbi ekuilibrat gjeopolitikë në Ballkan, një rajon historikisht i ndjeshëm ndaj ndikimeve të jashtme. Përfshirja e Greqisë në bashkëpunime të thelluara ushtarake, energjetike dhe strategjike me Izraelin shihet nga disa analistë si një pjesë e një loje më të madhe për dominim rajonal.
Më poshtë mund të lexoni:
Albanese theksoi gjithashtu se Izraeli është përballur me akuza të rënda në arenën ndërkombëtare. Sipas saj, çështje që lidhen me gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit janë trajtuar në institucione si Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale.
Në këtë kontekst, ajo paralajmëroi se çdo shtet që bashkëpunon apo lehtëson aktivitetet ekonomike dhe ushtarake me Izraelin mund të përballet me pasoja ligjore ndërkombëtare. “Kjo nuk është vetëm çështje morale, por edhe ligjore. Ata që autorizojnë transferime armësh apo mallrash drejt dhe nga Izraeli duhet të mbajnë përgjegjësi,” u shpreh ajo.
Deklaratat e raportueses së OKB-së hapin një debat të gjerë për rolin e shteteve të Ballkanit në raport me konfliktet globale dhe ndikimet e fuqive të huaja. A po shndërrohet rajoni ynë në një fushë loje për interesa strategjike të aktorëve ndërkombëtarë? Dhe mbi të gjitha, çfarë rreziku paraqet kjo për stabilitetin dhe sovranitetin e vendeve të vogla si Shqipëria?
Në një kohë kur tensionet globale janë në rritje, këto zhvillime kërkojnë vëmendje të shtuar dhe një analizë të ftohtë për të kuptuar se ku po pozicionohet Ballkani në hartën e re të interesave ndërkombëtare.
