Provokim i radhës nga Greqia: ringjallet narrativa për “Vorio Epirin” në mes të Evropës moderne …

Nga Arben Llalla:

Një tjetër akt provokues me ngarkesë të fortë politike dhe historike po vjen nga Greqia, duke rikthyer në skenë një nga narrativat më të rrezikshme për integritetin territorial të Shqipërisë. Në datën 9 Maj, në sheshin kryesor të qytetit të Larisa, pritet të organizohet një aktivitet publik me këngë dhe valle, ku në qendër të tij është tema e ashtuquajtur “Autonomia e Vorio Epirit”.

Ky aktivitet organizohet nga institucione dhe struktura lokale si Prefektura dhe Bashkia e Larisës, në bashkëpunim me Mitropolinë e Larisës dhe shoqatën “Autonomia e Vorio Epirit PIRRO” – një organizatë që prej kohësh mban gjallë pretendime të hapura ndaj jugut të Shqipëria.

Termi “Vorio Epir” nuk është thjesht një nocion historik. Ai përfaqëson një tezë të rrezikshme politike, që në thelb synon të vërë në pikëpyetje sovranitetin e Shqipërisë në jug të vendit. Juridikisht, përdorimi i këtij termi është i ndaluar si në Shqipëri, ashtu edhe në Greqi, pikërisht për shkak të potencialit destabilizues që mbart.

Megjithatë, vitet e fundit është vërejtur një tendencë shqetësuese nga qarqe të caktuara në Greqi për ta rikthyer këtë narrativë në hapësirën publike, duke përdorur aktivitete kulturore si mbulesë për mesazhe politike.

Provokim i hapur ndaj shqiptarëve

Organizimi i një aktiviteti të tillë në një datë simbolike dhe në një hapësirë publike të rëndësishme, nuk mund të konsiderohet rastësi. Kjo përbën një provokim të hapur ndaj shqiptarëve, një përpjekje për të testuar reagimin institucional dhe shoqëror, si dhe për të normalizuar një diskurs që bie ndesh me realitetin historik dhe juridik.

Në një kohë kur rajoni ka nevojë për stabilitet, bashkëpunim dhe respekt reciprok, nxitja e ideve aneksioniste dhe ringjallja e fantazmave të së kaluarës përbën një hap prapa.

Ajo që ngre edhe më shumë shqetësim është mungesa e reagimit të fortë nga institucionet shqiptare. Çdo tolerim ndaj këtyre zhvillimeve rrezikon të interpretohet si dobësi dhe të inkurajojë akte të tjera të ngjashme në të ardhmen.

Shqipëria ka të drejtë dhe detyrim të mbrojë integritetin e saj territorial dhe dinjitetin kombëtar, jo vetëm në kufijtë fizikë, por edhe në narrativën historike dhe kulturore.

Në një Evropë që pretendon se ka lënë pas konfliktet territoriale, ngjarje të tilla tregojnë se ende ekzistojnë rryma që kërkojnë të rishkruajnë historinë. Por historia nuk mund të deformohet me valle dhe këngë në sheshe publike.

Shqiptarët nuk mund dhe nuk duhet të qëndrojnë indiferentë përballë provokimeve të tilla. Çdo përpjekje për të cenuar identitetin dhe territorin e Shqipërisë duhet të marrë përgjigjen e merituar – me dinjitet, me fakte dhe me vendosmëri.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *