Sipas raportimeve të Financial Times dhe të The Jerusalem Post, presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar të ndalojë furnizimet ushtarake për Ukrainën nëse aleatët evropianë nuk bashkohen në një koalicion për të hapur sërish Sundin e Hormuzit. Ky zhvillim ndodh në një kohë kur tensionet midis SHBA-së dhe Iranit janë në rritje.
Pas këtij paralajmërimi, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka bërë thirrje për koordinim, duke shtyrë vende si Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe të lëshojnë një deklaratë ku shprehin gatishmërinë për të kontribuar në “përpjekjet e duhura për të garantuar kalimin e sigurt të anijeve në Hormuz”.
Megjithatë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, theksoi se furnizimet ushtarake për Ukrainën nuk janë ndërprerë nga lufta me Iranin, duke qetësuar disa shqetësime për aleatët evropianë.
Ky zhvillim nxjerr në pah një strategji të re të SHBA-së, që duket se përdor konfliktin me Iranin për të vënë presion mbi Evropën, duke e detyruar të përfshihet direkt në çështjet strategjike të energjisë dhe transportit detar. Roli i Hormuzit, një nga kalimet më të rëndësishme për naftën dhe gazin global, bëhet kështu një instrument politik në duart e Uashingtonit.
Në këtë kontekst, Europa ndodhet nën presion të dyfishtë: nga konflikti në Lindjen e Mesme dhe nga aleanca me SHBA-në, ndërsa tensionet rriten dhe rreziku për përplasjesh ushtarake në rajon mbetet i lartë.
