Drejtësia e Rilindjes Sorosiane ka kapitulluar: Imuniteti i Ballukut dhe paralajmërimi i Ramës për ndryshime në ligj …

Deklaratat e Ramës dhe paralajmërimi për ndërhyrje ligjore pas një vendimi gjyqësor kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi realitetin e ndarjes së pushteteve në Shqipëri

Nga Redaksia:

Kryeministri Edi Rama ka reaguar publikisht pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rivendosi masën e pezullimit për zv/kryeministren Belinda Balluku, duke sinjalizuar qartë se mazhoranca socialiste është e gatshme të ndërhyjë në legjislacion për të shmangur situata të tilla në të ardhmen.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e interpreton vendimin e Gjykatës Kushtetuese si problematik jo në thelb, por në efektet që, sipas tij, sjell mbi funksionimin e institucioneve shtetërore. Kryeministri pretendon se funksionet kushtetuese të anëtarëve të qeverisë, Presidentit të Republikës dhe drejtuesve të institucioneve nuk mund të pezullohen, pasi një veprim i tillë, sipas tij, paralizon institucionet që ata drejtojnë.

Më poshtë mund të lexoni:

Rama: Zgjidhja do të vijë përmes ndryshimeve ligjore

Në reagimin e tij, Rama rendit tre “konkluzione” të dala nga mbledhja e Grupit Parlamentar Socialist, duke theksuar se:

  • Funksionet kushtetuese janë të padelegueshme dhe nuk mund të pezullohen nga askush, pasi një veprim i tillë cenon vetë funksionimin e shtetit.
  • Duke iu referuar deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku anëtarët e saj shfaqen unanimë për ekzistencën e një problemi, por të ndarë për zgjidhjen, mazhoranca do të angazhohet për ndryshime në legjislacion.
  • Rikthimi i pezullimit, sipas Ramës, i shërben vetëm SPAK-ut, i cili mund të vijojë hetimet “i qetë”, ndërkohë që nuk ka urgjencë për trajtimin e kërkesave të reja të Prokurorisë Speciale.

Në një shtesë personale, kryeministri thekson se SPAK-u nuk preket, por vetëm mbështetet, ndërsa pavarësia e pushteteve, sipas tij, “vetëm garantohet”.

Ndërhyrje politike ndaj drejtësisë?

Deklaratat e Ramës dhe paralajmërimi për ndërhyrje ligjore pas një vendimi gjyqësor kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi realitetin e ndarjes së pushteteve në Shqipëri. Për kritikët, ky qëndrim përforcon bindjen se drejtësia e ashtuquajtur “e re” është e kushtëzuar nga vullneti politik i mazhorancës dhe se, kur vendimet nuk i shërbejnë pushtetit, ligji ndryshohet për t’iu përshtatur pushtetit.

Rasti i imunitetit politik të Belinda Ballukut dhe reagimi i menjëhershëm i kryeministrit përbëjnë, sipas shumë vëzhguesve, një tjetër provë se Drejtësia e Rilindjes Sorosiane ka kapitulluar përballë qeverisë, duke u shndërruar më shumë në instrument funksional sesa në pushtet të pavarur.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *