ANALIZA: Shqipëria, vend i çudirave apo i përçudnimeve dhe marrëzive “vetëvrasëse”?

(Një vështrim kritik mbi situatën politike, institucionale dhe sociale në Shqipëri, duke evidentuar absurditetet dhe shkatërrimet që kanë ndodhur gjatë dekadave të fundit.)

Nga Xhevat Mustafa:

Për fat të keq, prej 81 vitesh ne, që kemi mbetur gjallë në këtë vend, nuk po përjetojmë thjesht çudira, por përçudnime në çdo fushë, deri në shkatërrim të identitetit tonë kombëtar. Këto dukuri i shohim si spektatorë, kur individë të pushtetshëm dhe zyrtarë shtetërorë kryejnë dhe shprehin çnjerëzillëk, amoralitet, papërgjegjshmëri dhe anti-shqiptarizëm, duke dhuruar falas copëza të Shqipërisë dhe interesave kombëtare.

I kemi parë këto edhe në institucionet e drejtësisë, ku ligjet dhe Kushtetuta shpesh injorohen. Është e habitshme që në krye të qeverisë dhe dikastereve të tjera vendosen drejtues me dosje korrupsioni, ndërkohë që SPAK dhe institucione të tjera shpesh dështojnë në përgjegjshmëri. Një rast tipik: individë me imunitet politik, ose “popullorë”, hajdutë me kostume, këmisha, kravata dhe brekë firmato, që shpesh vijnë nga çdo cep i Shqipërisë – Veri, Jug, Lindje – fitojnë privilegje pa përgjegjësi.

Këto çudira, absurditete dhe marrëzira shfaqen edhe kur shteti shndërrohet në mjet për korruptim në miliona euro ose për orgji morale të pafrenuara. Masakrat urbane janë po aq të dukshme: qendra qytetesh, lulishte, monumente dhe institucione kulture shkatërrohen për të ngritur kulla 30-50 katëshe me dhjetëra miliona euro, të financuara nga oligarkë shqiptarë, ndranghetas, arabë, serbë dhe rusë.

Çudia më e freskët është një nen i Kodit Penal që ndalon zyrtarët e kompanive private dhe shtetërore të kenë marrëdhënie seksuale jashtë Shqipërisë. Domethënë, kur udhëtojnë jashtë vendit, ata nuk mund të praktikojnë jetën e tyre private, pavarësisht nëse janë në ekipe të përziera ose kanë orientime të ndryshme seksuale. Ky nen, në realitet, duket si një përpjekje qesharake për të rregulluar moralin e administratës Rama dhe strukturave jashtë saj.

Lista e çudirave, marrëzirave dhe “vetëvrasjeve” ekonomike, minerare, mjedisore, urbanistike, arsimore, kulturore, shëndetësore, ushtarako-strategjike në këta mbi 12 vjet është e gjatë. Çdo lexues mund të shtojë edhe të tjera, sepse Shqipëria sot duket më shumë si një vend ku çudia dhe absurditeti janë rregulla, se sa përvoja normale jetese.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *