Nga Redi Minga:
Në Shqipëri ekziston një ligj i pashkruar, por i respektuar me fanatizëm:
sa herë ndërrohet qeveria, ministri apo kryebashkiaku, ndërrohen edhe makinat.
Jo sepse të vjetrat janë prishur, por sepse luksi duhet rifreskuar bashkë me pushtetin.
Miliona euro nga buxheti i shtetit shkojnë çdo vit për makina luksi, kryesisht Audi A8, SUV premium dhe limuzina të blinduara, në një vend ku ekonomia mbahet me frymëmarrje artificiale, ku pensionisti numëron qindarkat dhe i riu numëron ditët deri në emigrim.
Dhe pyetja është e thjeshtë, por e bezdisshme për pushtetin:
Për çfarë i duhet një ministri, kryebashkiaku apo ish-kryetari komune një Audi A8?
Do të dalin disa zëra “seriozë” që thonë:
“Po patjetër që i duhet, është ministër… është kryetar bashkie… përfaqëson shtetin.”
Mirë. Ta pranojmë për një moment këtë logjikë.
Atëherë lind pyetja e dytë, edhe më e dhimbshme:
Pse në Europë ministrat, kryebashkiakët dhe kryetarët e komunave lëvizin me biçikleta, me trena, me metro – edhe pse shteti u jep makina zyrtare?
Pse kryebashkiaku i Amsterdamit shkon në punë me biçikletë, ndërsa kryebashkiaku shqiptar nuk shkon dot as në zyrë pa shofer, eskortë dhe xhama të zinj?
Pse ministri gjerman hipën në tren, ndërsa ministri shqiptar sillet sikur po transportohet ar i Bankës së Shqipërisë?
Sepse atje pushteti është shërbim, kurse këtu është privilegj.
Atje makina zyrtare është mjet pune, këtu është trofe pushteti.
Atje politika kërkon thjeshtësi, këtu kërkon luks dhe arrogancë.
Në një vend ku rrugët rurale janë gropa, spitalet pa pajisje, shkollat pa ngrohje dhe familjet mezi mbyllin muajin, pushteti zgjedh të investojë jo te qytetari, por te sediljet prej lëkure të Audi-t.
Ironia më e madhe?
Ata që predikojnë “sakrifica”, “krizë”, “kursim” dhe “reforma”, janë të parët që hipin në makina luksi me para publike.
Në Shqipëri, varfëria është për popullin.
Luksi është për pushtetin.
Dhe për të kuptuar edhe më qartë si abuzohet me taksat e shqiptarëve, mjafton të shikoni videon e Azmer Duleviç.
Kjo video nuk ka montazh, nuk ka filma aksion, nuk ka xhama të zinj — ka vetëm realitetin e hidhur: paratë e popullit shkojnë për luksin e pakicës në pushtet, ndërsa qytetari i zakonshëm paguan çdo ditë faturën e këtij spektakli të turpshëm.
Në fund të fundit, në Shqipërinë e sotme, spektakli nuk është në kinema… është në buxhetin e shtetit. Ndërsa qytetari lëviz me kursim, pushteti lëviz me Audi A8, për sa kohë qytetari pranon këtë normalitet të sëmurë, Audi A8 do të vazhdojë të ecë mbi rrugë të shkatërruara, ndërsa Shqipëria do të vazhdojë të ecë… në vendnumëro.
