ANALIZA: Rrugët e Ramës dhe Ballukut – Miliarda të shkrira, asfalt i shkatërruar …

Nga Hysni Gurra:

Në Shqipëri, inaugurimet janë më të shpeshta se asfaltimi, dhe miliardat shkrijnë më shpejt se borë dimri. Çdo rrugë që premtohet shndërrohet në spektakël propagande: shirita, kamera, këngë e valle për t’i treguar qytetarëve “më të mirën që kemi bërë”. Por kur fiket kamerat dhe fëmijët e fshatrave rikthehen në përditshmëri, pyetja është e thjeshtë: a ka ndonjë rrugë që vlen paratë e shqiptarëve, apo të gjitha janë vetëm teatër dhe betoni i pashfrytëzuar?

Ky shkrim hedh një sy mbi disa prej projekteve më të mëdha rrugore të qeverisjes Rama–Balluku dhe zbulon se pas pompës dhe propagandës, qytetarët shpesh mbeten pa asgjë më shumë se baltë dhe zhgënjim.

Pa politikë partiake, pa mllefe personale. Thjesht një pyetje e drejtë për çdo qytetar:
A ka ndonjë rrugë të hajrit që ka bërë dyshja Rama – Balluku?

Pas më shumë se një dekade pushtet absolut, bilanci i infrastrukturës rrugore është alarmant. Miliarda euro të shpenzuara, dhjetëra inaugurime me kamera, këngë, valle dhe propagandë, por në terren realiteti është krejt tjetër.

QUKËS – QAFË PLOÇË

Një projekt që zgjati rreth 10 vite, me një kosto afro 300 milionë euro, dhe sot rezulton thuajse i padobishëm. Banorët e zonës, që pritën kryeministrin dhe ministren me bukë e kripë, mbetën pa rrugë funksionale. Paratë nuk u humbën vetëm për ta, por edhe për qytetarë nga Konispoli në Vermosh, që ndoshta kurrë nuk do ta shkelin atë segment.

KORÇË – ERSEKË

Paratë “peshonin” më shumë se betoni. Investimi u bë, por rruga nuk u bë siç duhej. Sot është një tjetër shembull i dështimit të projekteve pa standard dhe pa përgjegjësi.

KARDHIQ – DELVINË

Një rrugë që shembet, rrëshqet dhe nuk garanton siguri. Cilësia u anashkalua, ndërsa rreziku për drejtuesit e automjeteve u kthye në realitet të përditshëm. Siguria në këto projekte duket se konsiderohet luks.

THUMANË – KASHAR

1.3 miliardë euro për vetëm 17 kilometra.
Një nga rrugët më të shtrenjta në Evropë, e kthyer në simbol të favorizimeve klienteliste. Sot, rruga është në gjendje të mjerueshme, me ura dhe mbikalime që shkatërrojnë automjetet dhe nervat e qytetarëve.

UNAZA E MADHE E TIRANËS

Miliarda lekë të hedhura, kontrata dhe qerasje për biznesmenët e afërt me pushtetin. Ndërkohë qytetarët humbasin 2–3 orë çdo ditë në trafik. Efikasiteti urban? Praktikisht zero.

AUTOSTRADA TIRANË – DURRËS

Me këtë ritëm pune, përfundimi i saj duket një horizont i largët. Premtime pafund, por realitet i ngadaltë dhe kaotik.

RRUGA E ARBËRIT

Tuneli i Murrizit është kthyer në makth të përditshëm për drejtuesit e automjeteve. Inaugurimet me këngë dhe valle dibrane nuk e mbulojnë dot realitetin e vështirë që përjetojnë qytetarët çdo ditë.

TUNELI I LLOGARASË

“Është bërë me kashtë, jo me hekur”, deklaratë ironike e kryeministrit që sot tingëllon si paralajmërim. Miliona euro të shqiptarëve janë shkrirë, ndërsa askush nuk mban përgjegjësi për cilësinë dhe sigurinë.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *