Nga Redaksia:
Ligjvënësit në Kongresin amerikan kanë nisur zyrtarisht procedurat për “Contempt of Congress” (mosrespektim të Kongresit) ndaj ish-presidentit Bill Clinton, pasi ai refuzoi të paraqitej për dëshmi në hetimin parlamentar që lidhet me rrjetin e trafikut seksual të Jeffrey Epstein dhe Ghislaine Maxwell.
Kryetari i Komisionit të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve, James Comer, njoftoi se Bill Clinton kishte qenë i thirrur për një dëshmi me dyer të mbyllura të martën, por nuk u paraqit, duke sfiduar një thirrje zyrtare të Kongresit.

Sipas Comer, thirrja ndaj ish-presidentit ishte miratuar njëzëri nga republikanët dhe demokratët, si pjesë e hetimit për lidhjet e elitës politike me Jeffrey Epstein. Ai theksoi se pas pesë muajsh negociata në mirëbesim, Clinton refuzoi të bashkëpunojë me Komisionin.
Komisioni i Mbikëqyrjes do të nisë procedurat për mosrespektim të Kongresit ndaj ish-presidentit për shkelje të ligjit,” deklaroi Comer, duke shtuar se refuzimi për të dëshmuar minon autoritetin e ligjit dhe transparencën institucionale.
Komisioni publikoi gjithashtu pamje nga salla e dëshmisë ku shihet karrigia bosh e Bill Clinton, pas mungesës së tij të qëllimshme.
Ish-sekretarja e Shtetit Hillary Clinton ishte planifikuar të dëshmonte një ditë më pas. Kryetari i Komisionit paralajmëroi se nëse ajo nuk paraqitet, do të përballet me të njëjtat procedura ndëshkuese.
James Comer njoftoi se më 21 janar është caktuar seanca formale e Komisionit për ta shpallur Bill Clinton në mosrespektim të Kongresit, për sfidim të një thirrjeje ligjore dhe bipartizane.
Nga ana tjetër, avokatët e familjes Clinton kanë deklaruar për median amerikane se thirrjet e Komisionit janë të pavlefshme dhe të pazbatueshme ligjërisht, duke pretenduar se nuk lidhen me një qëllim të vlefshëm legjislativ.
Hetimi vjen në një kohë kur Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka publikuar dokumente të reja mbi dosjet Epstein–Maxwell, përfshirë foto të papublikuara më parë të Bill Clinton, të cilat kanë rikthyer në vëmendje lidhjet e ish-presidentit me rrethin e Jeffrey Epstein.

Bill Clinton në një vaskë të nxehtë, duke notuar me një grua misterioze.

Çështja Epstein vazhdon të tronditë politikën amerikane, ndërsa refuzimi për të dëshmuar nga figura të larta shtetërore po shihet si një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë ligjore dhe politike.
