Nga Vladimir Prifti:
Në një kohë kur shtetit i duhet me çdo kusht një opozitë e bashkuar dhe e fortë, ndërkohë që ministrat e tij kapen me vjedhje miliardësh, ndërkohë që populli kërkon organizim të shëndoshë dhe drejtim konsekuent, brenda Partisë Demokratike shfaqet një çiban i ri – një grupim që nuk ka asgjë të përbashkët me idealet e partisë mëmë, por që lëviz me lakmi pushteti personal.
Kjo nuk është hera e parë që PD prodhon “këlyshë” të tillë. Me dekada, nga radhët e saj kanë dalë grupime të ndryshme, parti anekse apo rryma “liberale” që kanë pretenduar të kenë trashëguar idealet e PD-së, por historikisht ato janë fshirë dhe harruar. Udhëheqësit e këtyre grupimeve gjithmonë kanë pritur që lavdia e tyre të rritet brenda PD-së, duke menduar se do të jenë drejtuesit e ardhshëm të opozitës. Kështu ndodhi edhe me Salianjin dhe doktor Ilirin.
Pjesëmarrja e madhe e popullit në idealet e opozitës, pas patrullës së saj fillestare “Liri-Demokraci”, po zbehet gradualisht. Kjo tregon se brenda radhëve drejtues të PD-së, ideali i lirisë dhe demokracisë nuk ka qenë prioritet; nën petkun e opozitës, disa kanë përvetësuar prona që nuk u takonin, kanë mbushur xhepat përmes korrupsionit dhe kanë ndjekur vetëm lavdinë personale, duke krijuar grupazhe të brendshme në partinë mëmë.
Më e dhimbshme është se në partitë opozitare janë futur dhe elementë mashtrues, imoralë, pasues dhe tradhtarë të kombit, si dhe kolaboracionistë të Luftës së Dytë Botërore, me qëllim për të përvetësuar sa më shumë pasuri – jo vetëm të ish-pronave të tyre, por dhe të djersës dhe gjakut të popullit. Pas marrjes së këtyre përfitimeve, ata janë larguar nga PD-ja, duke lënë një boshllëk të madh në zhvillimin e saj.
Ndërkohë, PS-ja, si vazhduese e PPSH-së, vazhdon të tërheqë pas korrupsionit dhe antishqiptarisë shumicën e masës popullore që dikur besonte tek partia e vet. Në këtë masë hyjnë dhe pensionistët, të cilët dikur punuan për ndërtimin e qindra veprave energjetike dhe industriale, të cilat u shkatërruan nga “çeku i bardhë”, ose shfrytëzohen ende sot nga mashtruesit e PS-së.
Kjo vazhdimësi e përçarjes së opozitës tregon një realitet të hidhur: shumë elementë brenda saj e kërkojnë pushtetin për lavdi personale dhe interes karrierist, jo për shërbimin e kombit.
