Mediat shqiptare kanë shpërndarë një lajm të rremë për daljen e Erion Veliajt nga burgu, bazuar në një deklaratë të Sali Berishës. PatriotikMedia.al sjell të vërtetën pas kësaj tymnaje të orkestruar për të fshehur frikën brenda sistemit politik.
Nga Redi Minga:
Prej disa ditësh, portale e televizione në Tiranë po garojnë kush të shpikë më shumë “burime sekrete” rreth Erion Veliajt.
Sipas tyre, ish-kryebashkiaku i Tiranës paska dalë natën nga burgu — disa thonë për në spital, disa për në Ambasadën Amerikane, e disa madje flasin për takime me agjentë të FBI-së.
Në fakt, zhurma nisi pas një deklarate të Sali Berishës, i cili publikisht pohoi se “Veliaj është nxjerrë nga burgu tre netë më parë dhe është dërguar në drejtim të paditur”, duke shtuar se këtë urdhër e paska dhënë vetë Edi Rama “nga frika e madhe ndaj Veliajt”.
Kaq mjaftoi që portale e gazetarë “dixhitalë” të shpërndajnë lajmin si të ishte fakt i konfirmuar.
Por, si zakonisht, asnjë provë, asnjë dokument, asnjë reagim zyrtar.
As Drejtësia, as burgu, as Ministria e Brendshme nuk kanë konfirmuar asgjë.
Pra, një tjetër shashkë politike e kthyer në “lajm” për të mbushur hapësirat bosh të mediave dhe për të manipuluar opinionin publik.
Kush përfiton nga kjo zhurmë?
Ky nuk është lajm, por një tym politik i hedhur për të zhvendosur vëmendjen nga realiteti:
rrjeti i pushtetit të Rilindjes po çahet, dhe frika brenda sistemit po rritet.
Në momentin që njerëzit presin të vërtetën, dalin “denoncuesit dixhitalë” për ta helmuar debatin.
E vërteta është e thjeshtë:
Veliaj nuk ka dalë nga burgu.
Asnjë dalje pa dijeninë e Edi Ramës nuk mund të ndodhë.
Nëse do të kishte ndodhur, sot do të kishim parë shkarkime, hetime dhe panik institucional.
Por jo — asgjë nga këto nuk ndodhi. Vetëm fjalë, tym dhe propagandë.
Loja e vjetër, e njëjtët aktorë
Në Shqipërinë e sotme, kur sistemi dridhet, dalin menjëherë “burime dixhitale” për të shpëtuar veten politike.
Kështu ndodh sa herë që kupola e pushtetit ndjen frikë.
Njëri shpik, tjetri e amplifikon, të tretët e kthejnë në tituj bombastikë – dhe populli duhet të hajë barin e radhës.
Por koha e mashtrimeve ka mbaruar.
Qytetarët nuk janë më aq të lehtë për t’u gënjyer.
Dhe çdo tym që ngrihet për të fshehur zjarrin e vërtetë, do të shpërndahet nga era e së vërtetës.
Në këtë vend, kur s’ke fakt, shpik “denoncuesin dixhital”.
Kur s’ke të vërtetë, krijon tym.
Por tymi gjithmonë shpërndahet – dhe e vërteta mbetet.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
