Nga Redaksia:
Presidenti amerikan Donald Trump mbajti një fjalim të ashpër dhe sfidues përpara qindra gjeneralëve dhe admiralëve të ushtrisë amerikane në bazën ushtarake të Quantico, Virginia. Në hapje të fjalës së tij, ai i drejtoi një paralajmërim të qartë udhëheqësve ushtarakë:
“Nëse nuk ju pëlqen ajo që them, mund të dilni nga dhoma – por bashkë me këtë do të humbisni gradën dhe të ardhmen tuaj.”
Deklarata e Trump është pritur si një mesazh i fortë që kërkon disiplinë dhe bindje totale brenda ushtrisë amerikane. Ndërkohë që një pjesë e të pranishmëve e duartrokitën, kritikët e shohin këtë si shenjë të politizimit të forcave të armatosura, duke paralajmëruar për rrezikun e shndërrimit të ushtrisë në një instrument të plotë të vullnetit politik të Presidentit.
Gjatë fjalimit, Trump u ndal edhe tek “politika e korrektësisë” që, sipas tij, ka dëmtuar seriozitetin dhe fuqinë e ushtrisë amerikane. Ai theksoi se misioni kryesor i forcave të armatosura është të mbrojnë vendin dhe të jenë gati për luftë, jo të merren me eksperimente ideologjike.
Kjo nuk është hera e parë që Trump përplaset me gjeneralët amerikanë. Që në mandatin e tij të parë presidencial, ai shpesh ka kritikuar strategjitë ushtarake në Lindjen e Mesme, ndërhyrjet pa fund dhe dështimet në Afganistan. Madje në disa raste, Trump ka deklaruar hapur se nuk ka besim tek një pjesë e lidershipit të Pentagonit, duke lënë të kuptohet se shumë prej tyre i shërbejnë më shumë interesave të kontraktorëve të mëdhenj ushtarakë sesa interesave të kombit amerikan.
Mesazhi i tij i fundit në Quantico shihet si një sinjal se Trump do të jetë edhe më i rreptë në raport me ushtrinë gjatë këtij mandati, duke kërkuar besnikëri absolute nga gjeneralët dhe admiralet.
Në mbyllje të fjalimit, Trump i kujtoi edhe një herë se nuk do të lejonte asnjë shpërputhje me vijën e tij politike, duke shtuar se kush nuk është dakord, më mirë të largohet vetë.
Ndiqni deklaratën e Presidentit Trump në videon më poshtë.
Ky material është pronë e Patriotikmedia.al dhe është i mbrojtur nga ligjet për të drejtën e autorit. Ndalohet riprodhimi, apo publikimi i plotë apo i pjesshëm i këtij materiali pa lejen e shkruar paraprakisht nga redaksia. Shkelësit do të përballen me pasojat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.