12 Aug 2025, Tue

Takimi Trump–Putin në Alaskë: Misteret, sfidat dhe prapaskenat …

Nga Fatmir Merkoçi:

Alaska është zgjedhur si vendi i takimit mes Donald Trump dhe Vladimir Putin. Një zgjedhje jo rastësore, pasi kjo tokë e ftohtë e Amerikës Veriore ka mbartur gjithmonë mistere dhe sekrete të botës. Po ashtu, edhe ky takim pritet të mbajë brenda vetes jo pak enigma.

Ky duket të jetë vetëm takimi i parë, një hap parapërgatitor drejt një takimi shumë më të madh në Riad, i cili – sipas disa analistëve – mund të ketë rëndësinë historike të Konferencës së Jaltës. Në Alaska, pritet të hidhen piketat e para për një marrëveshje që mund të ndryshojë ekuilibrat gjeopolitikë.

Lufta në Ukrainë dhe qëndrimet e palëve

Donald Trump ka deklaruar se, sapo të vijë në pushtet, do të ndalojë luftën në Ukrainë. Kjo deklaratë vjen në një vit – 2025 – ku bota ka parë mjaft konflikte të armatosura, mes tyre Ukrainën dhe Palestinën, megjithëse me natyra e arsye të ndryshme.

Nga ana tjetër, Vladimir Putin e nisi luftën duke kundërshtuar hyrjen e Ukrainës në NATO. Ai ka përsëritur se objektivi i Rusisë është rikthimi i territoreve të administruara në vitin 1991, duke e justifikuar këtë me sigurinë kombëtare të vendit të tij. Qëndrimi i tij nuk ka ndryshuar që nga fillimi i konfliktit.

Trump ka theksuar se, nëse do të ishte president, lufta nuk do të kishte nisur kurrë. Në këtë mënyrë, ai ia kalon fajin administratës Biden dhe NATO-s, të cilat, sipas tij, nuk arritën të fitonin këtë konflikt. Në vijim, Trump pritet të kërkojë përfundimin e luftës duke njohur Rusinë brenda kufijve administrativë të vitit 1991 – një ide që Zelenski dhe BE-ja e kanë refuzuar hapur. Ky refuzim lidhet drejtpërdrejt me faktin se politika europiane, sipas kritikëve, vazhdon të jetë nën ndikimin e George Soros.

Sinjalet e një politike të re amerikane

Ky takim mund të shënojë një pikë kthese në politikën e Trump ndaj Europës. Shenjat janë të dukshme: tarifat tregtare, kërkesa për rikthimin e kompanive amerikane në SHBA dhe prirja për politika më proteksioniste janë tregues të qartë. Nëse marrëveshja për paqe nuk arrihet, Trump mund ta kthejë përgjegjësinë te NATO dhe vetë europianët.

Çështja e Palestinës dhe “arma” e Putinit

Një temë që nuk pritet të deklarohet hapur në konferencat për shtyp është konflikti Izrael–Palestinë. Benjamin Netanjahu, sipas kritikëve ndërkombëtarë, ka shkelur çdo normë të ligjit të luftës, duke e kthyer Gazën në një vend ku genocidi është tejkaluar dhe është kaluar në një masakër që disa e krahasojnë me Holokaustin. Putini pritet ta përdorë këtë çështje si “armë diplomatike” në bisedimet e tij me Trump.

Dy liderë kundër Soros

Një element i rëndësishëm është se të dy liderët janë shprehur hapur kundër Soros, gjë që i jep takimit një dimension tjetër politik. Në një negociatë të tillë, asnjë prej superfuqive nuk mund të lejojë të dalë e humbur.

Për të kuptuar plotësisht kuptimin dhe rezultatin real të këtij takimi, duhet lexuar mes rreshtave të deklaratave zyrtare. Alaska mund të jetë vetëm skena e parë e një loje të madhe diplomatike. Por një gjë është e qartë: bota po hyn në një fazë të re të marrëdhënieve ndërkombëtare.
kujdes “spiunët”

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *