9 Aug 2025, Sat

Nga Sokrati i vuajtur te derri i kënaqur: Shqipëria mes Millit, Migjenit dhe një kohe të nënshtruar …

Nga Redaksia:

Një reflektim i fundit i Aurel Plasarit, i hedhur në Facebook, ka sjellë një thënie të paharrueshme të filozofit anglez John Stuart Mill (1806–1873):

“Është më mirë të jesh qenie njerëzore e pakënaqur sesa derr i kënaqur; më mirë të jesh Sokrat i pakënaqur sesa budalla i kënaqur; dhe nëse budallai ose derri kanë opinione të ndryshme kjo vetëm sepse ata shohin vetëm anën e tyre të çështjes. Pala tjetër i njeh të dyja anët.”

Plasari me shumë finese e lidh këtë thënie me Migjenin, i cili që në vitet ’30 ngriti pyetjen dramatike:
“Sokrat i vujtun apo derr i kënaqun?”

Një dilemë e vjetër, por që në Shqipërinë e sotme tingëllon si thirrje për zgjim.

Shqipëria sot: më shumë kënaqësi, më pak vetëdije

Sot, nuk mungojnë kënaqësitë sipërfaqësore: show politik, ekran i tejmbushur, slogane, konferenca, konventa, evente. Por mungon më e rëndësishmja: njeriu i pakënaqur që pyet, mendon dhe reagon.

Janë krijuar shoqëri të nënshtruara me rehati. E ndoshta është kjo që kërkon sistemi: të mos kemi Sokratë të vuajtur, por derra të kënaqur që nuk e kuptojnë robërinë sepse i kanë trofetë e tyre të vegjël.

Sa shumë Sokratë kemi humbur?

Në një vend ku universitetet janë kthyer në zyra regjistrimi, parlamenti në teatër, mediat në megafon të një zëri të vetëm — është më e lehtë të jesh i kënaqur dhe i paditur, sesa i vuajtur dhe i vetëdijshëm.

E kjo nuk është rastësi. Është sistem i ndërtuar që të mos lindin më Migjenë, por të shumohen “budallenjtë e kënaqur”, që s’e dinë çfarë është liria sepse as që pyesin për të.

Pyetja për secilin nga ne

Postimi i Plasarit nuk është thjesht lexim filozofik. Është goditje. Një thirrje për secilin që e quan veten shqiptar:

Çfarë je sot në këtë shoqëri? Sokrat i vuajtur që nuk pranon të heshtë? Apo derr i kënaqur që ka vendin e vet në grazhd dhe pranon çdo mashtrim për sa kohë ka bukën në dorë?

Shkrimi i John Stuart Mill, kujtesa e Migjenit dhe zëri i Aurel Plasarit na rikujtojnë se:
Një popull që heq dorë nga vuajtja për të vërtetën, përfundon duke ngrënë kënaqësi të rreme në errësirë.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *