Nga Redi Minga:
Nëse mendonit se Edi Rama e kishte harruar sloganin “Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian”, keni të drejtë! Sepse sot ai ka një tjetër slogan të heshtur, por shumë më të rrezikshëm:
“Nxijani jetën shqiptarit, që të dorëzohet vetë dhe të largohet nga vendi!”
Ky është slogani i vërtetë i qeverisë së Rilindjes, frymëzuar nga filozofia e njohur në qarqet e shërbimeve si strategjia e Curbollovicit, që thoshte:
“Nxijani jetën shqiptarit sa më shumë, që ai të mos durojë më, të dorëzohet vetë dhe të iki. Toka të jetë e lirë, populli i shpërndarë dhe vendi lehtësisht i administrueshëm.”
Shqipëria nuk po ecën drejt BE-së, por drejt boshatisjes totale
Ndërsa slogani i mëparshëm “Shqipëria 2030 në BE” është harruar si një batutë pa kripë, qeveria ka hyrë në fazën finale të projektit: marrjen me dhunë të pronave, shembjen e bizneseve vendase, dhe largimin masiv të shqiptarëve nga çdo pikë strategjike e vendit.
Nuk është rastësi që po shemben hotele, shtëpi dhe ndërtime shqiptare në jug të vendit. Nuk është çudi që me një arrogancë çnjerëzore po konfiskohen prona pa vendime gjykate. Ky është plani i heshtur: ta bësh jetën e shqiptarit të padurueshme, që të heqë dorë nga gjithçka.
Ndërkohë, opozita? Në bregdet… me ngjyrë çokollate!
Ndërsa shqiptarëve po u shemben shtëpitë dhe po u zhduket prona nga themelet, opozita “luftëtare” është… në plazh. Po merr ngjyrë çokollate në jug, nëpër bregdetet që sot i përkasin vetëm oligarkëve dhe pasanikëve të lidhur me pushtetin. Asnjë reagim serioz, asnjë përballje reale, vetëm statuse në Facebook dhe ndonjë dalje me xhinse të shkurtra për të mos i humbur ritmet e pushimeve.
Slogani i ri: Tokat për pushtetin, largimi për popullin
Ky nuk është më thjesht një dështim politik. Është strategji kombëtare zhdukjeje. Shqipëria nuk po boshatiset nga rastësia, por nga vendimmarrja. Toka është pasuria e fundit që ka mbetur në duart e shqiptarëve, dhe ajo duhet marrë me çdo kusht. Biznesi i vogël, i ndershëm dhe familjar është shkatërruar, që askush të mos mbijetojë më pa u përkulur para sistemit.
Dhe për të gjithë ata që ende shpresojnë, Rama ka një mesazh të qartë:
“S’keni parë asgjë akoma!”
Po, nuk kemi parë asgjë vërtet këto 12 vite, sepse çdo ditë që kalon na pret një ligj i ri dhe zhbërja më e madhe e shekullit.
Por Shqipëria nuk është për t’u dorëzuar!
Ky vend nuk është lodër eksperimentesh të zymta europiane, as tabelë shahu për aventurierë që e shesin patriotizmin me tendera dhe fonde nga jashtë. Shqipëria është e shqiptarëve, dhe është koha që ky popull të zgjohet. Sepse sa më gjatë të heshtim, aq më pak do të mbetet nga kjo tokë që dikur mbrohej me jetë.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.