Artur Meçollari i drejtohet ambasadorit amerikan Wendt: Në SPAK nuk mungojnë provat, por vullneti për t’i administruar! Rasti i bazës detare të Shëngjinit …

Nga Redaksia – Kapiteni i rangut të parë (Ret.) Artur Meçollari, ish-zëvendëskomandant dhe ish-komandant në detyrë i Forcës Detare, i është drejtuar me një letër publike ambasadorit amerikan Wendt, lidhur me mbështetjen e SHBA-së për SPAK-un dhe mënyrën se si ky institucion po trajton hetimet për çështje të rëndësishme.

Meçollari vlerëson mbështetjen amerikane për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por ngre shqetësimin se problemi i SPAK-ut nuk është mungesa e provave, por mungesa e vullnetit për administrimin e tyre dhe përfundimin e hetimeve brenda një kohe të arsyeshme.

Në letrën e tij, ai sjell si shembull dosjen penale nr. 109/2021, që lidhet me tjetërsimin e bazës detare të Shëngjinit, duke pretenduar se hetimi është zvarritur për gati gjashtë vjet dhe se gjatë këtij procesi nuk ka pasur transparencë të mjaftueshme.

Zoti gjeneral (Ret.),

Sot, Ambasada e SHBA-së ka publikuar vullnetin e SHBA-së, të shprehur nga ju, me anë të të cilit SHBA-ja i vendos në dispozicion SPAK-ut të gjitha provat që ekzistojnë në institucionet amerikane. Është një shenjë e vullnetit dhe mbështetjes së SHBA-së për SPAK-un në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.

Por, si një mbështetës i SPAK-ut, ju si përfaqësues i SHBA-së duhet ta dini se në SPAK nuk ka mungesë provash, por mungesë vullneti për administrimin e tyre dhe përfundimin e hetimeve në kohë, si një proces i rregullt ligjor, i drejtë dhe i pavarur.

Për të qenë më i qartë, po ju sjell një provë konkrete.

Gati gjashtë vjet më parë, më 31 mars 2021, kam bërë një kallëzim penal lidhur me tjetërsimin e bazës detare të Shëngjinit, bazë e Forcës Detare që nga viti 1969. Ky nuk është kallëzimi i vetëm imi ende nën hetim paraprak në SPAK. Në prill 2021, SPAK regjistroi hetimin penal me nr. 109/2021.

Në muajin nëntor 2020, brenda bazës detare të Shëngjinit nisi të ndërtohej një objekt privat. Unë e bëra publike këtë në fillim të dhjetorit 2020.

Edhe pse më 18 dhjetor 2020 kishte një urdhër (sekret) për moslejimin e punimeve nga ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Bajram Begaj, punimet vazhduan për gati katër muaj.

Dhe për të lejuar punimet, u shkarkua komandanti i bazës, pesë ditë pas daljes së urdhrit, me të vetmen arsye se kërkonte zbatimin e urdhrit të SHSHP-së të FA-së, të datës 18 dhjetor.

Punimet u ndërprenë me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, më 6 mars 2021, pas disa denoncimeve të mia në media, kur objekti kishte arritur në katin e katërt, pas katër muajsh punime.

Në përputhje me ligjin “Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit dhe drejtimit në FA”, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së është përgjegjës për gatishmërinë luftarake të Forcave të Armatosura.

Çdo vit i kam kërkuar SPAK-ut informacion mbi hetimet dhe kam marrë përgjigjen se çështja është në hetim paraprak.

Më 3 shkurt 2026, pra pesë vjet pas regjistrimit të hetimit, i kam dërguar SPAK-ut, në kapacitetin e kallëzuesit, kërkesë për informacion. SPAK-u nuk më ktheu përgjigje, edhe pse e ka detyrim. Edhe pse njoftova drejtpërdrejt shefin e SPAK-ut, përsëri nuk mora përgjigje.

Më 28 tetor 2026 i kërkova përsëri informacion SPAK-ut. Këtë herë më ktheu përgjigje, por më komunikoi se, me vendimin e datës 27 korrik 2026, prokurorja e çështjes, znj. Kajana, kishte shpallur moskompetencën dhe e kishte referuar çështjen në Prokurorinë e Lezhës.

Edhe pse është detyrim i SPAK-ut (prokurores) të më informojë për vendimin dhe të ma vërë atë në dispozicion, nëse unë nuk do të kisha bërë kërkesën e datës 28 tetor 2026, nuk do të isha vënë në dijeni nga SPAK-u.

Pas përgjigjes, i kam kërkuar SPAK-ut të më vërë në dispozicion vendimin e datës 27 korrik 2026 për moskompetencën lidhur me dosjen penale 109/2021.

Përsëri, edhe pse SPAK-u e ka detyrim, me firmën e kreut të tij, z. Braho, më këshillon t’i drejtohem Prokurorisë së Lezhës, ku ka shkuar dosja.

I nderuar z. Wendt,

Ju bëra gjithë këtë përshkrim për të kuptuar:

Përse është shpallur moskompetenca nga SPAK-u për dosjen penale 109/2021?

Përse unë nuk u informova në kohë për vendimin e moskompetencës?

Përse nuk më jepet vendimi edhe pas kërkesës sime?

Sepse moskompetenca ka lidhje me përjashtimin nga hetimet të ish-Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Bajram Begaj, sot President i Republikës. Vendimi i zbardhur ka edhe argumentet lidhur me këtë përjashtim dhe, për rrjedhojë, edhe shpalljen e moskompetencës.

Në fakt, nxjerrja e urdhrit të datës 18 dhjetor 2020 nga SHSHP-ja e FA-së, shkarkimi i komandantit të bazës së Shëngjinit, mosndjekja e zbatimit të urdhrit dhe mosnisja e hetimit penal ndaj vartësve direkt për moszbatimin e urdhrit, ndërsa SHSHP-ja e FA-së është përgjegjëse për gatishmërinë luftarake në FA, e vendosin Bajram Begajn në kushtet e shpërdorimit të detyrës me mosveprim.

Pra, në SPAK nuk ka mungesë provash, por mungesë vullneti për administrimin e paanshëm të provave dhe zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor.

Zvarritja e procesit të dosjes 109/2021 (rasti Shëngjini) dhe 108/2021 (rasti Limioni), si dhe mungesa e transparencës, janë flamuri i kuq që e tregojnë këtë mungesë.

Po je i pushtetshëm, je i privilegjuar edhe nga SPAK-u. Pra, drejtësia nuk është e barabartë për të gjithë.

Kapiten i rangut të parë (Ret.) Artur Meçollari

Ish-zëvendëskomandant dhe ish-komandant në detyrë i Forcës Detare (11 shkurt 2019 – 7 gusht 2020).

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top